E Diel, 1 Nëntor 2026

Asgjësohen rreth 2 mijë bimë kanabisi, procedohen penalisht 3 kryetarë fshatrash në Shkodër

Operacioni policor i koduar “Koordinata” vijon me intensitet në të gjithë qarkun e Shkodrës, për goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe komisariateve në varësi, u gjetën dhe u asgjësuan në total 1987 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Në territorin e njësive administrative Gur i Zi dhe Postribë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër konstatuan 186 bimë kanabisi, të cilat u asgjësuan me djegie. Si rezultat i hetimeve, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, tre kryetarë fshatrash:

M. C., kryetar i fshatit Shpor,

R. M., kryetar i fshatit Ura e Shtrenjt,

F. L., kryetar i fshatit Vilez.

Ndërkohë, në territorin e njësisë administrative Shllak, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vau i Dejës, u gjetën dhe u asgjësuan 1801 bimë kanabisi, të kultivuara në zona të thella dhe të vështira për t’u aksesuar.

Policia bën me dije se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kultivimit të këtyre bimëve narkotike, ndërsa operacioni antikanabis “Koordinata” do të vijojë në të gjithë territorin e qarkut.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›