E Martë, 3 Nëntor 2026

ERE nis procedurën për licencimin e termocentralit 170 MW në Roskovec

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Enti Rregullator i Energjisë (ERE) nisi procedurën për licencimin e shoqërisë “Fier Thermoelectric” për aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike nga një termocentral me kapacitet të instaluar prej 170 MW, që do të ndërtohet në Roskovec, Fier.

Projekti parashikon ndërtimin dhe funksionimin e një termocentrali me turbinë gazi dhe Cikël të Kombinuar (CCGT), duke përdorur gazin natyror si lëndë djegëse. Termocentrali do të operojë me një teknologji moderne që siguron efikasitet të lartë, deri në 57% me ngarkesë maksimale.

Vendndodhja strategjike e impiantit do të jetë pranë Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) dhe rrjetit të transmetimit të energjisë me tension të lartë, duke mundësuar lidhjen direkte me Rrjetin Kombëtar të Transmetimit përmes një nënstacioni gazi të izoluar (GIS).

Impianti është projektuar për të funksionuar për një periudhë 25-vjeçare, ndërsa energjia e prodhuar do të dërgohet në rrjetin kombëtar, duke kontribuar në përmirësimin e sigurisë dhe diversifikimit të furnizimit me energji në vend.

Sa i përket furnizimit me gaz natyror, sipas dokumentacionit zyrtar, ai është siguruar përmes një marrëveshjeje të firmosur në shkurt të vitit 2022 mes GEK TERNA (në emër të ALBANIA CCGT) dhe Korporatës Publike të Gazit të Greqisë (DEPA). Marrëveshja parashikon furnizimin me rreth 2,0 TWh gaz në vit për një periudhë minimale shtatëvjeçare, me dorëzim në pikën e ndërlidhjes ABV31 të TAP-it në Roskovec, në përputhje me kushtet e tregut dhe kontratës.

Zhvillimi i ketij projekti dhe veprimet e mbështetura prej tij do të sjellin një rritje të prodhimit të energjisë elektrike dhe do të diversifikojë prodhimin vendas. Paralelisht, projekti do të përmirësojë ekuilibrin në prodhim midis hidrocentraleve dhe burimeve të rinovueshme të energjisë dhe do të ketë një siguri të mbrojtur furnizimi për shkak të lidhjes së drejtpërdrejtë me Gazsjellësin Trans Adriatic.

Përveç kësaj, zhvillimi i ketij projekti do të reduktojë varësinë e tepërt nga importet e energjisë elektrike dhe të gjitha këto përfitime do të ofrojnë një treg më të favorshëm dhe të qëndrueshëm të energjisë në Shqipëri, duke tërhequr investime të huaja shtesë në energji dhe do të përmirësojnë perspektivat e rritjes ekonomike të Shqipërisë. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›