EUSA Combat, Gonxhja: Mbi 1600 studentë-sportistë nga 39 vende europiane në Tiranë

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Mbi 1600 studentë-sportistë nga 39 vende europiane u bënë pjesë e EUSA Combat, një prej aktiviteteve më të mëdha sportive të zhvilluara këtë vit në Shqipëri.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të rreth 400 universiteteve europiane, ndërsa garat u zhvilluan në katër disiplina sportive, duke përfshirë qindra përballje për titujt dhe medaljet e kampionatit.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha sot se “për disa ditë, Tirana u bë një simfoni ngjyrash, kulturash dhe energjish, në një atmosferë miqësie, mikpritjeje, kohezioni social e solidariteti”.
“Për nga pjesëmarrja e sportistëve, eventi më i madh i këtij viti; për nga impakti social dhe promovimi i vendit, një nga ato ngjarje që i japin sportit një dimension shumë më të gjerë se gara dhe podiumi”, tha Gonxhja.
Ministri Gonxhja u shpreh se “EUSA Combat solli qindra të rinj europianë në Tiranë, i bëri ata pjesë të qytetit dhe të mikpritjes sonë dhe i përcjell sot drejt vendeve të tyre si ambasadorë të Shqipërisë, me historitë, miqësitë dhe përvojat që morën prej saj, e me një arsye më shumë për t’u rikthyer”.
Aktiviteti ndërthuri sportin me promovimin e Shqipërisë, duke krijuar mundësi për shkëmbime mes të rinjve europianë dhe për forcimin e lidhjeve përmes përvojave të përbashkëta sportive e kulturore.
/r.e/a.f/