E Martë, 3 Nëntor 2026

Efektivi Klajdi Mustaj shpëton tre të aksidentuar në aksin Levan-Fier, Proda i akordon certifikatën për ‘Shërbime të Dalluara’

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Një akt trimërie dhe humanizmi u shënua pasditen e djeshme në aksin rrugor Levan-Fier nga efektivi Klajdi Mustaj, i cili ndërhyri duke shpëtuar tre qytetarë pas një aksidenti të rëndë rrugor.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, vlerësoi dhe falënderoi sot inspektor Klajdi Mustaj për humanizmin dhe përgjegjshmërinë ndaj qytetarëve dhe detyrës, për ndërhyrjen e guximshme për të shpëtuar tre qytetarë të dëmtuar gjatë një aksidenti në aksin rrugor Levan-Fier.

Për këtë akt guximi dhe përkushtimi në shërbim të jetës së qytetarëve, Proda i akordoi punonjësit të Policisë Rrugore, Klajdi Mustaj, certifikatën për Shërbime të Dalluara.

“Veprimi i Inspektor Klajdi Mustaj tregon më së miri misionin e Policisë së Shtetit: të jemi aty ku qytetarët kanë më shumë nevojë për ne. Guximi, profesionalizmi dhe reagimi i shpejtë i punonjësit tonë në shpëtimin e tre bashkëqytetarëve është shembull frymëzues për të gjithë trupën policore. I shpreh mirënjohjen time dhe të gjithë Policisë së Shtetit për këtë akt human e profesional. Faleminderit për guximin dhe zemrën e madhe që tregove në shërbim të qytetarëve. Angazhimi, përkushtimi, profesionalizmi, sakrifica, ndershmëria dhe humanizmi duhet të jenë motoja jonë në përmbushjen e detyrës, fytyra dhe imazhi i ri i Policisë së Shtetit”, theksoi Proda në mesazhin e tij.

Inspektor Klajdi Mustaj është pjesë e Policisë së Shtetit prej shkurtit 2024, kur përfundoi Kolegjin Profesional për Patrullë të Përgjithshme. Ka përfunduar studimet për Shkencat Juridike (Bachelor) dhe aktualisht vazhdon studimet për Master.

/m.q/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›