Plazhi i Livadhit në Himarë, një nga perlat e bregdetit të jugut

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga plazhi i Livadhit në Himarë, një nga perlat e turizmit në jug të vendit.
Ky plazh ndodhet poshtë Kalasë së Himarës, duke ofruar një kombinim të mrekullueshëm të historisë dhe natyrës.
Plazhi i Livadhit është i njohur për ujin e tij të kristaltë dhe shkëmbinjtë e lartë që e rrethojnë dhe ka një shtrirje prej rreth 1.2 kilometra dhe një gjerësi prej 100 metrash, me rërë të pastër dhe të mineralizuar..
Ujërat e tij të kthjelltë ofrojnë mundësi të shkëlqyera për notim dhe zhytje, ndërsa shkëmbinjtë e lartë janë perfekt për ata që duan të provojnë hedhjet nga lartësitë.
Infrastrukturat moderne dhe shërbimet e ofruara e bëjnë plazhin e Livadhit një vend të përshtatshëm për familje, çifte dhe udhëtarë të vetëm.
Rruga për në plazhin e Livadhit ofron pamje spektakolare të bregdetit dhe peizazhit natyror përreth ku pushuesit dhe vizitorët mund të vëzhgojnë grykën e Vishës, burimet e ndërtuara të ujit dhe disa kisha mesjetare ortodokse shqiptare, që e bëjnë udhëtimin edhe më të veçantë dhe të pasur me histori.
Qetësia dhe bukuria që të ofron plazhi i Livadhit, a kanë kthyer në një destinacion të preferuar për shumë turistë që kërkojnë një përvojë autentike në bregdetin shqiptar.
1 nga 3/gj.m/