E Premte, 6 Nëntor 2026

Rama fton sërish studentët për dialog - ATSH -

TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u ka bërë sërish thirrje studentëve që të ulen në tryezën e dialogut, përmes një sofre guri të vendosur përballë Kryeministrisë dhe ftesave me mbishkrimin “Dialog”.

Ndërkohë, protesta e të rinjve vijon mes qëndrimeve të ndryshme të studentëve. Një pjesë e tyre janë rikthyer në auditorë, ndërsa një grup tjetër vijon të bëjë thirrje për ndërprerjen e mësimit dhe mobilizimin e studentëve për t’iu bashkuar protestës.

Protestuesit kanë refuzuar deri më tani ftesat e Kryeministrit për dialog, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Nga ana tjetër, Rama është shprehur i gatshëm të shqyrtojë çdo propozim të studentëve dhe pedagogëve, ndërsa ka bërë të ditur se qeveria po përgatit një paketë masash për adresimin e shqetësimeve të tyre.

Sot Kryeministri pritet që të prezantojë një tjetër dritare dialogu online, për të gjithë qytetarët që kanë shqetësime reale. Rama në konferencën për mediet me ambasadoren e BE-së në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa deklaroi se tre grupe studentësh kanë dashur ta takojnë, por se janë kërcënuar e janë tërhequr.

/gj.m/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›