TEL AVIV – Izraeli merr nën kontroll kalanë strategjike në Libanin jugor

TEL AVIV, 31 maj /ATSH-DPA/ – Trupat izraelite njoftuan sot se kanë marrë nën kontroll kalanë strategjike “Beaufort Castle” në Libanin jugor për herë të parë pas 26 vitesh, gjatë operacioneve tokësore kundër lëvizjes shiite Hezbollah.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se ushtarët kanë ngritur flamurin izraelit mbi fortesën e vendosur në lartësi, të cilën ushtria e përshkroi si një “simbol të arrogancës së Hezbollahut”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e cilësoi zhvillimin si një “pikë kthese dramatike” në operacionet ushtarake të Izraelit, duke theksuar se vendi do të vazhdojë të ruajë zonat e sigurisë përgjatë kufirit dhe të zgjerojë kontrollin në territore që më parë ishin nën ndikimin e Hezbollahut.
Fortesa mesjetare, e ndërtuar rreth vitit 1137 dhe e vendosur rreth 700 metra mbi nivelin e detit, ka rëndësi të madhe strategjike për kontrollin e zonës përreth. Izraeli e kishte përdorur atë si bazë ushtarake deri në vitin 2000, kur u tërhoq nga Libani jugor.
Nga ana tjetër, kryeministri libanez Nawaf Salam akuzoi Izraelin për shkatërrime të gjera në jug të vendit dhe i cilësoi sulmet si një “përpjekje për të fshirë historinë”.
Ndërkohë, ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve të Libanit jugor të evakuohen në veri të lumit “Zahrani”, duke paralajmëruar zgjerim të operacioneve kundër objektivave të Hezbollahut.
Pavarësisht armëpushimit të arritur në prill mes Izraelit dhe Libanit, përplasjet dhe sulmet mes dy palëve vazhdojnë pothuajse çdo ditë. /Ad.Ab./