“Eja këndo me ne”, projekti që edukon përmes artit dhe zbulon talentet e së ardhmes

Skena e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit u mbush me zërat dhe energjinë e fëmijëve, për të çelur edicionin e nëntë të projektit edukativ dhe artistik “Eja këndo me ne”.
Ky projekt, tashmë një traditë e dashur për publikun dhe komunitetin artistik, bën bashkë nxënësit e 50 shkollave 9-vjeçare të Tiranës, të cilët prej muajsh janë përgatitur nga profesionistë të muzikës vokale.
Nën dirigjimin e maestro Dritan Lumshit dhe me koncertmaestër Igli Rrapaj, ky projekt frymëzon brezat e rinj dhe promovon artin muzikor që në hapat e parë. Sipas maestro Lumshit, projekti synon të afrojë fëmijët me muzikën korale dhe njëkohësisht të zbulojë talente të reja.
“Qëllimi i këtij konkursi, ose i këtij aktiviteti, pavarësisht se duket sikur është konkurs, në të vërtetë nuk është një konkurs, por një mobilizim dhe një edukim që i drejtohet fëmijëve për t’i orientuar drejt muzikës korale. Pse të mos bëhet muzika korale një traditë ose një kulturë edhe në vendin tonë, siç e kanë të gjithë vendet e tjera?”, tha Lumshi.
Ne kemi muzikë shumë të bukur. Kompozitorët tanë kanë shkruar shumë bukur për kor. Pse të mos futen të gjithë këta elementë te zërat më të rinj të vendit tonë?
“Eja këndo me ne” mbetet një shembull i suksesshëm i edukimit përmes artit, duke frymëzuar fëmijët të njohin botën e muzikës, të zhvillojnë talentin e tyre dhe të ngjiten me besim në skenën e madhe të artit shqiptar.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/