“Një jetë mes filmit dhe pikturës”, çelet ekspozita e piktorit Kleo Nini

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ U hap mbrëmjen e djeshme në Galerinë e Artit Tiranë, ekspozita “Një jetë mes filmit dhe pikturës” e piktorit Kleo Nini.
Ekspozita ka për kurator Genti Gjikolën. Vetë artisti ishte i pranishëm në ceremoninë e çeljes së ekspozitës, e cila do të qëndrojë në GAT deri në datën 30 qershor. Ekspozita u realizua me mbështetjen e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Ajo vjen si një rrugëtim që paraqet portretin e një artisti që kaloi një jetë të tërë duke lëvizur ndërmjet pikturës dhe kinematografisë, ndërmjet peizazhit real dhe botës së imagjinuar të filmit. Në ekspozitë mediumet ndryshojnë, funksionet ndryshojnë, por diçka mbetet e pandryshuar: besimi i palëkundur i Ninit te linja e vizatuar si mjeti më i drejtpërdrejtë i njohjes së botës.
“Një jetë mes filmit dhe pikturës” përmban disa praktika: pikturë, vizatim, kostumografi, poster filmik etj.
Kleo Nini u diplomua për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë në vitin 1968. Për dekada Kleo Nini punoi në Kinostudion “Shqipëria e Re”, në një mjedis ku vepronin disa nga emrat më të rëndësishëm të kulturës pamore shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX. Puna e tij u zhvillua në sheshxhirime e udhëtime anembanë vendit. Përveç peizazheve të trevave të ndryshme, krijimtaria e tij u zhvillua edhe në dizenjot e kostumeve dhe skenave të filmave. Ai është piktori i filmave: “Një jetë më shumë”, “Fillim i vështirë”, “Kur po xhirohej një film”, “Një ndodhi në port”, “Tela për violinë”, “Qortimet e vjeshtës”, “Dollia e dasmës sime”, “Fejesa e Blertës”, “Gjurma”, “Pylli i lirisë”, “Dritat e qytezës” etj.
Ekspozita e Kleo Ninit. Fotot nga Florian Abazaj 1 nga 7/a.f/r.e/