Ekipet e ARRSH pastrojnë nga mbetjet rrugët drejt jugut

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Rrugët drejt jugut të vendit po pastrohen nga ekipet e ARRSH-së, duke e bërë më të pastër mjedisin me të cilin përballen turistët e shumtë që në këtë sezon veror kanë zgjedhur plazhet e jugut si destinacion të pushimeve.
Kështu, ARRSH njoftoi se ekipet e mirëmbajtjes kanë vijuar punën për mbledhjen e mbetjeve përgjatë akseve rrugore që të çojnë drejt jugut të vendit duke larguar sasi të konsiderueshme mbeturinash të hedhura përgjatë karrexhatës dhe anës rrugës.
Ky aksion synon të garantojë rrugë më të pastra, pamje më të bukura dhe një ambient më të shëndetshëm për banorët dhe vizitorët.
Ndërkaq, ARRSH apeloi të gjithë përdoruesit e rrugës të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi duke mos hedhur mbeturina nga mjetet gjatë udhëtimit.
“Pastërtia e rrugëve është pasqyra e kulturës sonë. Ta mbajmë bashkë Shqipërinë të pastër”, shkruan ARRSH në rrjetet sociale ku ka përcjellë edhe momente nga puna e ekipeve të mirëmbajtjes. /j.p/
1 nga 7