E Hënë, 2 Nëntor 2026

OSSH vijon punën në zonat e prekura nga zjarret për rikthimin e energjisë elektrike

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Në zonat e prekura nga zjarret në Skënderbegas të Gramshit dhe Velçan të Beratit, ekipet e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) po vijojnë intensivisht punën për riparimin dhe sistemimin e rrjetit elektrik.

Ndërhyrjet në terren po kryhen pa ndërprerje, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji elektrike për banorët e prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.

Në disa zona situata është stabilizuar dhe furnizimi me energji është rikthyer, ndërsa puna po përqendrohet në rivënien në funksion të plotë të gjithë sistemit të shpërndarjes.

Sipas OSSH-së, prioritet mbeten banesat dhe familjet e prekura drejtpërdrejt nga zjarret, duke garantuar që asnjë komunitet të mos mbetet pa shërbimet bazë në këtë periudhë të vështirë.

OSSH thekson angazhimin maksimal të ekipeve në terren dhe bashkëpunimin me strukturat vendore për të përballuar me efikasitet pasojat e zjarreve dhe për të rikthyer normalitetin sa më shpejt në zonat e dëmtuara.

1 nga 7

/r.e//a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›