Ekonomi për buxhetin: Amendamentet e opozitës u rrëzuan, cenonin ekuilibrat fiskalë

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Punësimit dhe Financave, Milva Ekonomi, paraqiti sot në seancën plenare të Kuvendit, ku po diskutohet nen për nen projektbuxheti i vitit 2026, raportin pas diskutimeve në komisionet parlamentare.
Ekonomi theksoi se projektbuxheti vjen në një moment kur Shqipëria ndodhet në rrugën e integrimit europian dhe ka një qasje ambicioze, pasi vendos në qendër qytetarin, parashikon rritje të pensioneve dhe pagës minimale, si dhe mbështetje për zhvillimin e infrastrukturës me synimin për ta bërë vendin më të ndërlidhur dhe me nivel më të lartë konektiviteti. Po ashtu, vijoi ajo, buxheti synon ruajtjen e konsolidimit fiskal.
Sipas saj, projektbuxheti për vitin 2026 është rreth 887 miliardë lekë, nga të cilat shpenzimet operative zënë vetëm 81 milionë lekë, prej të cilave 56,7 milionë lekë janë kategori të pacenueshme.
Ekonomi bëri të ditur se gjatë procesit janë administruar 50 amendamente të paraqitura nga deputetë të opozitës.
Ajo sqaroi se këto amendamente kërkonin rritje të konsiderueshme të shpenzimeve, në një nivel prej 278 miliardë lekësh, që përfaqësonte më shumë se 10% të PBB-së, duke rrezikuar objektivat e konsolidimit fiskal.
“Këto propozime, të cilat cenonin ekuilibrat fiskalë dhe nuk ishin të argumentuara në mënyrë të plotë, nuk mund të miratoheshin”, deklaroi Ekonomi.
Kryesisht ndryshime në draftbuxhetin e paraqitur nga qeveria janë parashikuar për disa institucione kushtetuese si KPA, KLP, Gjykata Kushtetuese, KQZ, INSTAT, etj.
Ekonomi bëri të ditur se totali i shtesave në buxhet është rreth 504 milionë lekë dhe do të mbulohet nga rialokime të fondeve kryesisht nga Ministria e Financave.
/r.e/a.f/