E Diel, 1 Nëntor 2026

BE uron kreun e ri të SPAK, Gonzato: Mirëpresim bashkëpunimin

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Silvio Gonzato, përgëzoi drejtuesin e ri të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodjan Braho.

Gonzato, i cili ndoqi nga afër dëgjesat publike të katër kandidatëve për kreun e ri të SPAK, tha pas përfundimit të procesit se SPAK ka rol thelbësor në luftën kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

“Kemi ardhur këtu për të treguar mbështetjen tonë për KLP-në në këtë detyrë të saj, por edhe për të treguar interesin tonë në procedurën e emërimit, kjo për arsye se SPAK luan një rol thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe ju e dini se kjo është një nga kërkesat kyçe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Unë dje thashë se ne po kërkojmë një drejtues të këtij institucioni, të SPAK-ut, i cili do të vijojë punën e tij, dhe thamë se ajo që kërkonim të ishte një kandidat që të kishte nivele shumë të larta pavarësie, integriteti, rezistence në punë, standarde që kanë të bëjnë me përafrimin e Shqipërisë me BE-në.

“Tashmë më lejoni të përgëzoj Brahon në detyrën e tij të re dhe që me kërshëri mirëpresim bashkëpunimin me të në ditët dhe muajt në vijim”, tha ai.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›