Ekskluzive/ Ja rolet e 4 autorëve të dyshuar të vrasjes me eksploziv në Gjirokastër

schedule20:43 - 1 Nëntor, 2026
Programi ‘Gjërat Tona’ nën autorësinë e gazetares Etleva Delia, ka zbardhur ekskluzivisht rolet e grupit që ekzekutoi Beqir Devollin dhe plagosi lehtë pasagjerin që udhëtonte në të njëjtin mjet.
Mbrëmjen e 10 tetorit, qyteti i Gjirokastrës u trondit nga një shpërthim me eksploziv të vendosur makinës së 48 vjeçarit Beqir Devolli.
Dyshimet paraprake lidhen me prishjen e pazareve të drogës dhe grabitjen e një sasie kokaine nga portin i Antwerp në Belgjikë.
Urdhri u dha nga jashtë vendit, ndërkohë që ekzekutimi u krye nga një grup personash jashtë qytetit të Gjirokastrës. 4 prej autorëve të dyshuar janë vënë në pranga nga Policia, ndërkohë që vijojnë hetimet për zbardhjen e ‘padronit’ që urdhëroi atentatin.
” Nga sigurimi i motorit në Kuçovë, transportimi i tij drejt Tepelenës dhe përgatitja e atentatit në banesën e Gentjan Zhupës, deri te vendosja e eksplozivit dhe shpërthimi i komanduar në distancë. Dosja hetimore e Prokurorisë së Gjirokastrës rindërton lëvizjet dhe rolet që dyshohet se kanë pasur katër personat e përfshirë në vrasjen e 48-vjeçarit Beqir Devolli.
Hetimet për atentatin me eksploziv që i mori jetën Beqir Devollit në Gjirokastër, më 10 tetor 2026, kanë zbardhur një skemë të dyshuar bashkëpunimi mes katër personave, të cilët, sipas Prokurorisë, kanë pasur role të ndryshme në organizimin dhe realizimin e krimit.
Në qendër të kësaj skeme, sipas dosjes hetimore, qëndron Kliton Omeri, i njohur edhe si Kliton Nanushi. Ai dyshohet se ka qenë personi që ka ardhur nga jashtë vendit, ka hyrë në Shqipëri përmes Kosovës disa ditë përpara atentatit dhe është larguar sërish nëpërmjet Kosovës vetëm disa orë pas shpërthimit. Sipas hetimeve, lëvizjet e tij nuk janë regjistruar në sistemin TIMS.
Omeri dyshohet të ketë pasur rolin kryesor në realizimin e atentatit, nga vendosja e lëndës plasëse deri te aktivizimi i saj. Për këtë qëllim, ai dyshohet se ka marrë me qira një automjet në Tiranë, i cili është lokalizuar nga Policia përmes sistemit GPS dhe më pas është sekuestruar. Një tjetër element i rëndësishëm në rindërtimin e ngjarjes janë pamjet e kamerave të sigurisë. Sipas dosjes, Omeri është fiksuar në disa zona të Gjirokastrës, përfshirë edhe momentin kur dyshohet se ka vendosur eksplozivin poshtë sediljes së shoferit të automjetit të viktimës. Makina ndodhej e parkuar pranë një lokali që Beqir Devolli frekuentonte rregullisht.
Por lëvizjet e tij nuk përfundojnë me vendosjen e eksplozivit. Sipas hetimeve, ai është filmuar edhe në momentin e shpërthimit, duke qëndruar disa metra larg automjetit. Në këtë pozicion, dyshohet se ka kryer komandimin në distancë që aktivizoi lëndën plasëse dhe shkaktoi shpërthimin fatal. Në pamjet e administruara nga hetuesit, sipas përshkrimit në dosje, personi shfaqet i veshur me një kostum sportiv me ngjyrë të errët dhe me kapuç, në përpjekje për të shmangur identifikimin.
Një rol tjetër në këtë skemë dyshohet se ka pasur Gentjan Zhupa, 38 vjeç, nga Tepelena. Ai ka një shtëpi në këtë qytet, ku, sipas Prokurorisë, dyshohet se janë kryer përgatitjet për atentatin.
Hetuesit dyshojnë se autori ka qëndruar në këtë banesë për disa ditë me radhë. Lëvizjet e tij janë dokumentuar përmes hyrje-daljeve me automjet dhe me motorin që dyshohet se është përdorur për vendosjen e eksplozivit. Kjo banesë përbën një nga pikat kyçe të hetimit, pasi dyshohet se ka shërbyer si bazë për përgatitjen logjistike të atentatit, përpara se autorët të ndërmerrnin veprimet në Gjirokastër. Aty janë siguruar edhe prova të tjera të vlefshme për hetimin.
Për sigurimin e motorit, që dyshohet se është përdorur në këtë ngjarje, hetuesit kanë rindërtuar një tjetër zinxhir lëvizjesh, ku përfshihen edhe Shpëtim Malasi dhe Behar Zyberi. Bëhet fjalë për një motor të modelit “Honda GLX”, me ngjyrë blu dhe të bardhë, pa targa. Sipas dyshimeve të Prokurorisë, motori është siguruar fillimisht në Kuçovë dhe më pas është dërguar në Patos. Aty dyshohet se është marrë nga Shpëtim Malasi, i cili, sipas dosjes, e ka transportuar me automjetin e tij drejt Tepelenës, në banesën e Gentjan Zhupës, ku po zhvilloheshin përgatitjet për atentatin. Në këtë mënyrë, Malasi dyshohet se ka kontribuar në sigurimin dhe transportimin e një prej mjeteve që do të përdorej gjatë realizimit të krimit.
Ndërsa Behar Zyberi, 64 vjeç, nga Fieri, dyshohet se ka pasur rolin e bashkautorit në këtë ngjarje. Një element që merr rëndësi në hetim është edhe lidhja familjare mes tij dhe Kliton Omerit. Zyberi është vjehrri i këtij të fundit.
Nga të dhënat e dosjes hetimore, Prokuroria dyshon se secili prej katër personave ka kontribuar në një fazë të ndryshme të planit kriminal. Sigurimin e mjeteve, transportimin e tyre, përgatitjen në banesën në Tepelenë dhe realizimin e drejtpërdrejtë të atentatit. Kliton Omeri dyshohet si personi që vendosi eksplozivin dhe e aktivizoi atë në distancë. Gentjan Zhupa dyshohet se vuri në dispozicion banesën ku u kryen përgatitjet. Shpëtim Malasi dyshohet se transportoi motorin drejt Tepelenës, ndërsa Behar Zyberi dyshohet si bashkautor në ngjarje.”
Episodin e plotë mund ta ndiqni në Youtube.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

