Ekspertët: Qeveria shqiptare, e vetmja pa paketë ndihme për konsumatorët

Ekspertët e ekonomisë janë të mendimit se qeveria shqiptare është e vonuar në marrjen e masave për të zbutur efektet që po prodhon shtrenjtimi i çmimit të karburanteve. Suzana Guxholli, gjatë një interviste në Vizion Plus, tha se qeveria duhet të ndërhyjë që të ndihmojë shtresat në nevojë.
“Çdo qeveri e përgjegjshme ka marrë vendime për të ulur taksat, akcizën, TVSH-në apo duke kufizuar marzhet e fitimit. Këto vendime janë marrë që kur çmimi i naftës arriti në 200 lekë për litër. Ndërkohë, qeveria jonë është ende në pritje për të marrë vendime të tilla. Kjo nuk është normale, pasi çmimi i naftës ka nisur të prodhojë efekte zinxhir edhe në produkte të tjera. Edhe premtimi se do të ulet akciza, për mua është i pamjaftueshëm,” tha Guxholli në “E-ZONE”.
Për ekspertin Artur Ribaj, Bordi i Transparencës nuk është një praktikë me eksperiencë pozitive. Sipas tij, askush nuk e di se sa të drejta janë vendimet që ky bord merr.
“Ne nuk dimë se sa të drejta janë çmimet që përcaktohen, metodologjia që përdoret. Në bord nuk ka asnjë përfaqësim të konsumatorëve. Ajo çka po evidentohet është se si pasojë e këtij realiteti, qytetarët po kufizojnë konsumin. Blerjet përqendrohen vetëm në produkte bazike. Kjo qasje e qytetarëve do të ketë efekte në afatgjatë. Por të gjitha gjasat janë që efektet ekonomike nuk pritet të jenë njësoj si ato që prodhoi lufta Rusi-Ukrainë,” tha Ribaj.
Gjatë kësaj jave, bordi u mblodh dy herë dhe përcaktoi çmimet e naftës dhe benzinës. Nga e shtuna, një litër naftë tregtohet me 218 lekë për litër.
/vizionplus.tv