Ekspozita “Expoforest 2026”, një udhëtim në kohë kushtuar pasurisë pyjore të Shqipërisë

TIRANË, 25 mars/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Pyjeve është shndërruar këto ditë në një hapësirë të veçantë ekspozuese, duke mirëpritur “Expoforest 2026”, një udhëtim në kohë dhe dije, kushtuar pasurisë pyjore të Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga kjo ekspozitë, e cila do të jetë e hapur deri më datë 31 mars.
“Në ekspozitë prezantohen dokumente, studime dhe azhornime të fondit pyjor të hartuara nga ish-Instituti i Pyjeve dhe Kullotave, instrumente të përdorura në dekada për matjet e pyjeve si dhe materiale interesante me vlerë arkivore”, theksoi Rama.
Në këtë ekspozitë vizitorët do të kenë mundësi të njihen edhe me instrumentet historike të përdorura për matjet pyjore, si dhe me materiale me vlerë të rrallë arkivore, të cilat janë një dëshmi e përkushtimit ndër vite për mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve.
/k.s/a.f/r.e/