Ekspozita “Një popull në lëvizje”, italiani Gianni Bellesia sjell fotografitë e realizuara 31 vite më parë

31 vite më parë, fotografi italian Gianni Bellesia mbërriti për herë të parë në Shqipëri si pjesë e një misioni humanitar, duke shoqëruar dy kamionë me ndihma për familjet e varfra të një vendi që sapo kishte hyrë në rrugën e demokracisë.
Pas tri dekadash, ai kthehet sërish, jo më si vëzhgues i vuajtjeve, por si dëshmitar i një transformimi, për të hapur ekspozitën e tij fotografike me 30 imazhe që rrëfejnë historinë e një populli në lëvizje dhe të një kohe që nuk duhet harruar.
Fotografitë janë realizuar nga Durrësi në Tiranë, Shkodër e deri në fshatin e thellë të Nënshatit. Në kujtesën e fotografit, shqiptarët mbeten njerëz të buzëqeshur e mikpritës, edhe pse jeta ishte e ashpër.
“Ishit një vend me njerëz që buzëqeshnin. Edhe pse kalonit vështirësi, ata na prisnin gjithmonë me mirësi. Nga sytë e një italiani, më dukej një popull në zhvillim. Të rinjtë ëndërronin të shkonin në Itali, për të mësuar e për t’u kthyer me njohuritë e reja. Edhe të moshuarit i mbështesnin, sepse shpresonin që dija e perëndimit të sillte ndryshim. Sot, duke parë rilindjen e vendit tuaj, mendoj se ajo profeci e tyre është bërë realitet, dhe kjo më gëzon shumë”, tha Gianni Bellesia, fotograf.
Ekspozita fotografike “Shqipëria 1994, Një popull në lëvizje” u realizua në bashkëpunim me Foto Klub Durrësi. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun gjatë fundjavës në mjediset e qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës.
/vizionplus.tv