E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutimi mafioz i 44-vjeçarit në Sarandë, merren në pyetje 20 persona, hakmarrja një nga pistat që po hetohet

Një ditë pas atentatit që tronditi Sarandën, policia vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe ndalimin e autorëve të dyshuar.

Vizion Plus mëson se policia ka marrë në pyetje rreth 20 persona, pjesa më e madhe e të cilëve ndodheshin në zonë në momentin e atentatit ndaj 44-vjeçarit Artan Myrtaj.

Pjesë e punës hetimore është edhe sekuestrimi  dhe analizimi i materialeve filmike nga kamerat e sigurisë në zonën pranë ish-Agjencisë së Udhëtarëve ku ndodhi ngjarja e rëndë.

Një ndër pistat kryesore është ajo e hakmarrjes e lidhur me një seri ngjarjesh të vjetra të ndodhura në qytetin e Sarandës.

Gjithashtu pritet që dëshmia e 73-vjeçarit, këmbësorit që ngeli i plagosur të hedhë më shumë dritë për këtë ngjarje.

Paralelisht me punën hetimore vijojnë kontrollet nga postoblloqet e policisë në akset rrugore të Sarandës, Delvinës e Gjirokastrës për identifikimin dhe ndalimin e autorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›