E Hënë, 2 Nëntor 2026

Elbasan, Policia apel banorëve: Largohuni nga zonat e rrezikuara nga zjarri

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan u bën thirrje banorëve të fshatrave të rrezikuar nga zjarret të bashkëpunojnë me punonjësit e policisë, kryetarët e fshatrave, njësitë administrative dhe Emergjencat Civile, me qëllim largimin nga zonat e rrezikut.

Sipas njoftimit zyrtar, inspektorët e policisë së zonave janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendore për të informuar çdo banor, për të ofruar ndihmë dhe për t’i evakuuar në rast nevoje.

Shërbime të shumta të DVP Elbasan, Komisariatit të Policisë Gramsh dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë, po bashkëpunojnë me Emergjencat Civile dhe zjarrfikësit për evakuimin e banorëve dhe neutralizimin e flakëve.

Ndërkohë, grupe hetimore dhe shërbime policore po kontrollojnë zonën e prekur nga zjarri, ndërsa zjarrfikësit, Emergjencat Civile, policia dhe helikopterët po punojnë intensivisht për shuarjen e tij.

Policia ka përsëritur apelin për banorët që të largohen nga zonat e prekura dhe të bashkëpunojnë me strukturat shtetërore në terren.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›