MM: FA të angazhuara për shuarjen e flakëve në Gramsh, katër helikopterë dhe dhjetëra mjete në dispozicion

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur sot se, Forcat e Armatosura janë tërësisht të angazhuara në menaxhimin e situatës së rënduar nga zjarret në bashkinë Gramsh, me trupa në terren, së bashku me zjarrfikës lokalë, forca policie, nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat bashkiake.
Në terren duke ndjekur nga afër situatën është edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, si edhe drejtues lokal.
Ministria e Mbrojtjes shton se, dhjetëra mjete janë vënë në dispozicion, përfshirë zjarrfikëse, autoambulanca dhe mjete transporti, ndërkohë që katër helikopterë po operojnë nga ajri për shuarjen e flakëve në zonat më të vështira.
Ministria e Mbrojtjes nënvizon se, prioritet mbetet evakuimi i banorëve nga zonat në rrezik.
Për shkak të situatës, Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje banorëve të fshatrave Ërmenj, Harunas dhe Zenelas të largohen menjëherë nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuim të sigurt.
/gj.m/r.e//a.f/