E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hoxha: Prioritet absolut hetimi dhe ndëshkimi i zjarrvënësve, askush nuk do t’i shpëtojë drejtësisë

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka dënuar me ashpërsinë më të madhe çdo akt zjarrvënie, i qëllimshëm ose nga pakujdesia, që rrezikon jetën, shëndetin dhe pronën e qytetarëve, duke theksuar se autorët do të përballen pa asnjë tolerancë me drejtësinë.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri Hoxha u shpreh se temperaturat e larta dhe kushtet atmosferike favorizojnë përhapjen e flakëve, duke rritur rrezikun për pasoja të pariparueshme.

“Çdo person që, me veprime apo mosveprime, bëhet shkak për zjarrvënie, është drejtpërdrejt përgjegjës për një akt të rëndë që mund të kushtojë jetë njerëzish dhe të shkatërrojë pasuri publike e private. Agjencitë ligjzbatuese duhet të reagojnë menjëherë, me vendosmëri dhe pa asnjë tolerancë, ndaj çdo autori të këtyre veprave penale. Hetimi dhe ndëshkimi i zjarrvënësve do të jetë prioritet absolut dhe askush nuk do t’i shpëtojë drejtësisë”, theksoi ministri.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë përgjegjësi maksimale, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të njoftojnë autoritetet në rast se konstatojnë vatra zjarri.

Hoxha kërkoi gjithashtu që, në rast rreziku, banorët të zbatojnë pa vonesë urdhrat e autoriteteve për evakuim, duke theksuar se “çdo minutë mund të bëjë diferencën mes shpëtimit dhe tragjedisë”.

“Mbetemi të vendosur të mbrojmë jetën, pronën dhe mjedisin, duke përdorur çdo mjet ligjor për të goditur pa mëshirë këdo që i shkel dhe i rrezikon ato”, nënvizon ministri Hoxha.

/a.f//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›