Elbasani surprizon Egnatian, fiton 1-2 në transfertë

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Elbasani surprizoi pasditen e sotme duke mposhtur 1-2 në transfertë ekipin kampion të vendit, Egnatian.
Rrogozhinasit, të cilët sot inauguronin stadiumin “Arena Egnatia”, kanë siguruar tashmë kalimin në fazën “Final 4”.
Gjithçka u zhbllokua në fundin e pjesës së parë me dy gola të shpejtë, Joel 43’ dhe Tsague 45’.
Në pjesën e dytë përpjekjet e rrogozhinasve ishin më të shumta, teksa gjetën golin në minutën e 58-të me Bakayoko, por që u anulua për një pozicion jashtë loje.
Ndeshja u ndërpre në minutën e 78-të, pasi një nga tifozët vendas u rrëzua nga tribuna.
Menjëherë lojtarët njoftuan arbitrin dhe iu dha ndihma e parë mjekësore.
Autoambulanca transportoi tifozin në spital për mjekim më të specializuar, ndërsa ende nuk dihet gjendja e tij.
Lojtarët e Egnatias nuk pranuan të nisin ndeshjen pa mësuar për gjendjen e tifozit.
Pas rifillimit të lojës, në fundin e takimit u akordua një 11-metërsh për Egnatian, i kthyer në gol nga Fernando për rezultatin përfundimtarë të kësaj sfide, 1-2.
Me këtë fitore Elbasani ngjitet në kuotën e 46 pikëve, ndërkohë, Egnatia mbetet në kuotën e 58 pikëve, në vend të parë.
/r.e//a.f/