Një vjetori i rrëzimit të ASSAD – Sharaa thirrje qytetarëve për bashkim në rindërtimin e Sirisë

Një vit pas rrëzimit të familjes Assad, qytetarët sirianë kanë nisur festimet në Damask për të përkujtuar marrjen e kryeqytetit nga aleanca e udhëhequr nga presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa.
Pas lutjeve në Xhaminë Umajad, Sharaa lavdëroi luftëtarët për sakrificat e tyre dhe nënvizoi nevojën për bashkim të qytetarëve. “Faza aktuale kërkon bashkimin e përpjekjeve nga të gjithë qytetarët për të ndërtuar një Siri të fortë, për të konsoliduar stabilitetin e saj, për të mbrojtur sovranitetin e saj dhe për të pasur një të ardhme që i përket sakrificave të popullit të saj”, tha Sharaa, i veshur me uniformë ushtarake, ashtu siç kishte bërë kur hyri në kryeqytet një vit më pare.
Sharaa ka arritur të përmirësojë statusin ndërkombëtar të Sirisë dhe të lehtësojë disa sanksione, por sfidat mbeten të mëdha. Siguria dhe rindërtimi i institucioneve të shkatërruara janë detyra kryesore për qeverinë e re, ndërsa përplasjet sektare në zonat e minoriteteve alavite dhe druze, si dhe sulmet izraelite, e komplikojnë situatën.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje për mbështetje ndërkombëtare dhe për të shëruar ndarjet e thella. Ai theksoi nevojën për një Siri ku çdo qytetar të jetojë me siguri dhe barazi. Ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, përsëriti mbështetjen e bllokut për Sirinë.
Ai riafirmoi angazhimin e bllokut për dialog politik, mbështetje urgjente humanitare dhe rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Sirisë. Bashar al Assad, ish-diktatori i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi dhjetorin e kaluar, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.
/rtsh.al/