Emiratet e Bashkuara goditen sërish nga Irani, mbrojtja: Rrëzuam 8 raketa dhe 26 dronë. Raportohet për viktima

Ministria e Mbrojtjes së Emirateve të Bashkuara Arabe tha sot se vendi u godit nga 9 raketa balistike dhe 35 dronë iranianë, ndërsa theksuan se 8 raketa dhe 26 dronët u shkatërruan nga mbrojtja ajrore.
Sulmet iraniane deri më tani kanë rezultuar në 6 viktima dhe 122 të plagosur.
Që nga fillimi i sulmeve iraniane, sistemet e mbrojtjes ajrore kanë identifikuar 262 raketa balistike, nga të cilat 241 janë shkatërruar. 19 raketa të tjera ranë në det, ndërsa dy raketa ranë brenda territorit të vendit.
Ministria shtoi se 1,475 dronë iranianë janë zbuluar që nga fillimi dhe nga këto, 1,385 u shkatërruan, ndërsa 90 dronë ranë brenda territorit të vendit.
LEXO EDHE: Garda Revolucionare kërcënon Trump/ Hegeseth: E marta, një ditë tmerri për Iranin
Teksa lufta në Iran ka hyrë në javën e dytë, presidenti i SHBA-së Donald Trump për herë të parë la të kuptohet një fund të mundshëm të konfliktit.
Në një konferencë shtypi presidenti i SHBA-së deklaroi, se lufta mund të marrë fund “shumë shpejt”, por jo këtë javë. Trump nuk përmendi një datë konkrete. Rreziku më i madh në luftë ka kaluar tashmë prej tri ditësh, tha më tej Trump.
Nga ana tjetër, presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se lufta mund të zgjasë për shumë javë, duke theksuar se regjimet nuk ndryshojnë vetëm me bombardime.
Ndërsa Garda Revolucionare theksoi të hënën në mbrëmje se ata “do të vendosin për fundin e luftës”, duke iu përgjigjur deklaratës së Presidentit të SHBA-së Donald Trump se konflikti i armatosur do të “përfundojë së shpejti”.