Emri i diktatorit Hoxha në botimin e Kuvendit, Peleshi: Keqardhje për keqkuptimin e krijuar. Komunizmi, periudhë që s’duhet kujtuar në mënyrë të pakujdesshme

Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi ka shprehur keqardhje për përfshirjen e emrit të diktatorit Enver Hoxha në listën e figurave kombëtare për muajin tetor. Në seancën plenare të kësaj të enjte (9 tetor), Peleshi tha se qëllimi i materialit ishte thjeshtë informativ dhe jo të mbronte apo vlerësonte figura të caktuara, ndërsa emri i Hoxhës ishte përmendur vetëm për shkak të datës së tij të lindjes. Sipas kreut të Kuvendit, teksti i shpërndarë ishte nxjerrë pa interpretim nga Fjalori Enciklopedik i Akademisë së Shkencave.
“Në emër të Kuvendit dua të shpreh keqardhjen dhe ndjesën për keqkuptimin dhe perceptimin e krijuar, pavarësisht qëllimit thjeshtë informativ të materialit, pas pasur synimin të mbrojë apo vlerësojë ndonjë figurë të veçantë, aq më tepër Enver Hoxhën, i cili është përmendur vetëm për shkak të datës së lindjes. Teksti është nxjerrë pa interpretim nga fjalori enciklopedik i Akademisë së Shkencave, por mesa rezultoi, nga shërbimet përkatëse të Kuvendit nuk është mbajtur parasysh siç duhet se në komunikimin publik, perceptimi i krijuar merr shpesh një peshë të krahasueshme me peshën e faktit”, tha Peleshi.
Për të shmangur krijimin e situatave të tilla në të ardhmen, Peleshi tha se ka kërkuar nga Instituti Parlamentar një rishikim të procedurave të brendshme të bibliotekës së Kuvendit.
“Mënyra e prezantimit të këtij materiali ka krijuar perceptimin e gabuar dhe ka ngritur shqetësim. Ajo periudhë nuk duhet kujtuar në mënyrë të pakujdesshme. I kam kërkuar Institutit Parlamentar një rishikim të plotë të procedurave të brendshme të bibliotekës së Kuvendit për të siguruar që materialet e ardhshme të shoqërohen me kontekst të qartë historik për të shmangur çdo keqkuptim”, theksoi ai.
Deputetëve të Kuvend iu shpërnda përmes postës elektronike një listë me figurat që mund të nderohen gjatë muajit tetor, ku ishin renditur edhe figura si Bashkim Fino, Ahmet Zogu, Dritëro Agolli, etj., por mes tyre figuronte edhe emri i Enver Hoxhës. Kjo solli reagime të ashpra dhe polemika.
/rtsh.al/