Taulant Balla: Berisha nuk do normalitet, ka një strategji të qartë për të bllokuar Kuvendin

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas tensioneve të krijuara në seancën plenare të Kuvendit, ku sipas tij, deputetët e Partisë Demokratike kanë ofenduar ministrat dhe kanë penguar zhvillimin normal të punimeve.
Në një deklaratë për mediat, Balla akuzoi kryetarin e PD-së, Sali Berisha, për përshkallëzimin e situatës dhe për zbatimin e një strategjie të qëllimshme për të bllokuar institucionin.
“Ka një strategji të qartë të një personi të vetëm, që është Sali Berisha. Ai nuk kërkon normalitet në Kuvend,” — u shpreh Balla.
Sipas tij, kjo nuk është një situatë e papritur, por një taktikë e njohur që Berisha ka përdorur edhe më parë për të monopolizuar debatin parlamentar.
“Berisha ka dy strategji, ose bojkoton dhe përdor foltoren e partisë, ose bojkoton Kuvendin në një mënyrë që të flasë vetëm ai. E njëjta gjë ndodhi dhe në seancën e 18 shtatorit.” — tha Balla.
Ai shtoi se në seancën e sotme, e cila nisi në orën 10:00, nuk ka qenë e mundur të fillojë diskutimi për rendin e ditës, edhe pse ishte rënë dakord për një debat 10-orësh mbi katër çështje të rëndësishme.
“Dy orë nuk hymë dot në rendin e ditës. Në momentin që merr fjalën një ministër, janë disa mercenarë nën urdhrat e Berishës që turren duke mos i lënë ministrat të flasin, fyejnë me një fjalor rrugaçëror nga drejtuesi i seancës deri tek çdo koleg tjetër,” — deklaroi kreu i grupit parlamentar të PS.
Balla theksoi se për sa kohë të jetë në këtë pozicion, nuk do të lejojë që strategjia e Berishës të pengojë punën e Kuvendit dhe të mohojë të drejtën e fjalës për deputetët e tjerë.
“Në momentin më të parë, pas 30-40 minutash apo një orë përpjekje për të vendosur seancën në shina, do të marrë këtë përgjigje. Nuk do të lejojmë që të flasë vetëm ai,” përfundoi Balla.
Ai gjithashtu konfirmoi se kërkesat e grupeve parlamentare të opozitës do të pranohen, por vetëm nëse bazohen në rregulloren e Kuvendit.
/rtsh.al/