Energjia nukleare, një kompani paraqitet në zyrën e kryeministrit
Kryeministri Berisha priti në një takim përfaqësuesit e Alfa Group, të kryesuar nga Howard Ash.
Konsorciumi i njohur, Afla Group shprehu interes për të investuar në Shqipëri në projekte në fushën e energjisë atomike, bioteknologji dhe në Nano Technology, një teknologji e njohur për prodhimin e paisjeve të vogla elektronike, fokusuar në fushën atomike.
Gjithashtu Grupi Alfa sugjeroi krijimin në Shqipëri të një Qendre kërkimore –shkencore në fushën e Nano Technology si dhe ndërtimin e një impianti për prodhimin e produkteve të kësaj teknologjie.
Kryeministri Berisha falënderoi përfaqësuesit e Alfa Group për projekt-idetë dhe i informoi se për projektet në fushën nukleare, Shqipëria po përgatit kuadrin ligjor që do të pasohet me përfundimin e nënshkrimit të marrëveshjeve dhe me ngritjen e strukturave përkatëse.
Kryeministri Berisha pohoi se në fazën e dytë do të diskutohet për këtë sipërmarrje që mund të ofrohet si investim publik, rezultat i marrëveshjeve rajonale, ose si investim privat.
Kryeministri Berisha tha se qeveria e tij po i hap rrugën Shqipërisë të përdorë edhe këtë burim si alternativë energjie.
Energjia bërthamore, ëndërr e largët
Që prej një muaji, politika italiane ka deklaruar disa herë se dëshiron të ndërtojë centrale bërthamore. Ministri i Ekonomisë, Giulio Tremonti dhe zv/ministri i Punëve Prodhuese, Claudio Scajola, thonë se dëshirojnë t’i ndërtojnë në Shqipëri këto centrale. Kryeministri shqiptar Sali Berisha deklaroi disa javw më parë se, “ishte dakord që centralet bërthamore të ndërtoheshin këtu te ne”, por pranoi gjithashtu se, deri më sot, nuk është negociuar zyrtarisht me Romën, pra, që bëhet fjalë vetëm për deklarata mediatike.
Dashuri me energji në kohë krize
Entuziazmi për energjinë bërthamore është shtuar në dy anët e Adriatikut, veçanërisht për shkak të krizës energjetike botërore, që për Italinë nënkupton çmime jashtëzakonisht të larta për naftën e gazin, ndërkohë që për Shqipërinë nënkupton kufizime masive në furnizim dhe bllokim të zhvillimit ekonomik të vendit.
“Centralet bërthamore kërkojnë shumë kohë për t’u ndërtuar”,- thotë profesori Cini, i cili është shumë i respektuar për njohuritë e tij në këtë fushë. “Nëse puna do të niste tani, do të duheshin së paku tetë vite që centralet të përfundonin”. Premtimi i qeverisë italiane është që rreth vitit 2013, të jenë akorduar licencat e të jenë përcaktuar vendet e ndërtimit. Edhe ky parashikim, duket tepër optimist.
Energji, pa leverdi ekonomike
Sot për sot, thuhet se energjia bërthamore është shumë e lirë. Kushton 12 deri në 18 cent të euros për kilovat. Por sipas profesor Cinit, kjo është një e dhënë e gënjeshtërt. “Vendet që kanë bombë bërthamore, kanë investuar më herët miliarda për të prodhuar bombën. Energjia bërthamore qe një derivat i investimeve për bombën, e për pasojë rezulton më e lirë. (Sepse askush nuk fut në llogari koston ushtarake). Për vende që nuk kanë investuar te energjia bërthamore për qëllime ushtarake, kostoja është shumë më e lartë”,- thotë ai.
Pa drita, me ëndrra bërthamore
Qeveria shqiptare ka folur për energji bërthamore, gjatë kohëve të fundit, shumë më tepër sesa ka folur për zgjidhje konvencionale të krizës energjetike. Shqipëria ka nevojë aktualisht për 600 deri në 800 megawat fuqi të instaluar termocentrale, ose do të importojë përgjithmonë 50-60% të energjisë që konsumon. Në skenarin e saj më të mirë, qeveria ka premtuar se një TEC 93 megawat do të hyjë në punë, në mes të vitit 2009, së bashku me disa dhjetëra hidrocentrale të vegjël, të cilët duket se do të shtojnë vrimat në xhepat e shqiptarëve, por nuk do ta zgjidhin problemin.