PS: Prokuroria të hetojë për situatën në QSUT
Tiranë- Partia Socialiste ka reaguar sot për situatën në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pas ndërprerjes së operacioneve, duke e cilësuar alarmante. Nënsekretari i PS-së për programin, Ilir Beqja gjatë një deklarate për shtyp ka kërkuar nisjen e hetimeve nga ana e Prokurorisë për atë që po ndodh me shërbimin në qendrën më të madhe spitalore në vend.
“Kjo qeveri e papërgjegjshme, e paaftë dhe e korruptuar, po konsumon krimin më të fundit shtetëror të mos dhënies në mënyrë masive të ndihmës mjekësore në QSU. Mosfunksionimi i më shumë se gjysmës së shërbimeve të këtij spitali po rrezikon jetën e shqiptarëve”- tha ai.
Sipas tij, PS-ja prej javësh ka bërë prezente situatën alarmante në Qendrën Spitalore Universitare të vendit. Mungesë ilaçesh, mungesë furnizimi me ujë, mjekime të pasakta deri me pasojë vdekjen.
Për këtë, prej javësh i është kërkuar kryeministrit të vendit të ndërhyjë.
“Për ironi të fatit, përgjigja që vjen është anulim i operacioneve në QSUT deri në muajin shtator. Pra, shqiptarëve u kërkohet që të mos sëmuren këtë verë”- tha më tej ai.
PS-ja e ka quajtur këtë papërgjegjshmëri të qeverisë, e cila po konsumon krimin më të fundit shtetëror të mos dhënies në mënyrë masive të ndihmës mjekësore në QSU.
Veprim që rrezikon jetën e shqiptarëve.
Në fund, ai në emër të PS-së ka kërkuar nga prokuroria: Të hetojë për shurdhërinë vrasëse të qeverisë; të hetojë për neglizhencën vrasëse të qeverisë; të hetojë për paaftësinë vrasëse të qeverisë.