E Diel, 1 Nëntor 2026

Eni Vasili i jep Orkestrës së RTSH-së “Çmimin e Karrierës”: Xhevahir në kurorën e çdo festivali

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Drejtoresha e përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili e cilësoi Festivalin e Këngës së RTSH-së, si një shtyllë të identitetit kulturor që ka mbijetuar përtej sistemeve politike.

Në fjalën e saj përshëndetëse, në natën e tretë të Festivalit në RTSH, Vasili tha se “në këtë festival ka ndodhur ajo që politika do të kishte dashur shumë ta realizonte: shqiptarët nga e gjithë bota të mblidheshin në Tiranë, në qendrën e shqiptarisë. Ky festival do të jetojë gjatë”.

“Këtu ka ndodhur diçka që nuk ka ndodhur askund tjetër: shqiptarët janë bashkuar. Nga të gjitha trevat, ata kanë ardhur, kanë kënduar, kanë garuar dhe kanë qenë bashkë”, tha Vasili.

Ndryshe nga vitet e tjera, Çmimi i Karrierës këtë edicion nuk shkoi për një individ, por për një organizëm të tërë si Orkestra Simfonike të RTSH-së.

Eni Vasili e cilësoi orkestrën si “xhevahirin në kurorën e çdo festivali”, pa të cilën ky event nuk do të ishte i mundur.

Çmimi u tërhoq nga drejtoresha e Orkestrës, Blerta Ristani, e cila tha se “artistët e kësaj orkestre bëjnë profesionin më të bukur në botë. Kjo është magjia e të bërit muzikë së bashku”.

Nata e tretë e Festivalit të Këngës, u mbajt mbrëmjen e kaluar mes hiteve të nostalgjisë që u interpretuan nga artistë të ndryshëm në skenën e Pallatit të Kongreseve.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›