FEST64/ Pak orë nga mbrëmja nostalgjike, moderatori Andri Xhahu zbulon disa prej dueteve dhe këngëve që do performohen sot

Na ndajnë vetëm disa orë nga mbrëmja magjike e natës së tretë të FEST 64, ku nostalgjia dhe emocioni do depërtojë jo vetëm te publiku që do të jetë prezent në Pallatin e Kongreseve, por çdo qytetar që do e ndjekë përmes ekranit të RTSH 1HD, RTSH Muzikë, RTK, Radio Tirana dhe në YouTube në livestream në kanalin zyrtar të RTSH.
Duete dhe trio fantastike do të performohen sot në skenën madhështore të Fest 64, duke bashkuar artistët e rinj dhe ata që kanë lënë gjurmë të thella në muzikën shqiptare.
Moderatori Andri Xhahu bëri me dije për publikun se në natën e Nostalgjisë, do kemi rikthimin në skenë me të njëjtën këngë që ka kënduar në FEST 34 dhe që ka bërë të madh e të vogël të kërcejë me të, këngëtaren Gili me “Xixëllonja”.
“Këputa një gjete dafinë”, “Jon”, “Ende ka shpresë” dhe “Shiu”, janë disa nga këngët që do të performohen në këtë natë të tretë, ndërsa të tjera surpriza mbeten ende për t’u zbuluar.
“Në fakt ajo që po ndodh është që këtu po punohet me dritat, provat para se të nisin provat gjeneralë. Do jetë një natë që ofron shumë.
Nata e tretë është nata e nostalgjisë. Për të gjithë ata që kërkojnë të marrin biletat në myticket.al nëse ka mbetur ndonjë biletë mund të shkoni ta merrni. Është një natë me pritshmëri shumë të mëdha, sepse është një natë ku do të këndohen nostalgjitë e festivalit të këngës në RTSH, një nga këngët është një nga himnet e muzikës shqiptare që është kënga “Këputa një gjete dafinë” kënga e Gaqo Çakos, që do vij e interpretuar nga Evi Reçi në duet me Kastriot Tushën. Pastaj do kemi Gerta Mahmutajn që do sjellë një këngë që do shoqërohet nga vëllai i saj këngëtar gjithashtu Kledi Mahmutaj. Do kemi rikthimin e Gilit, këngës “Xixëllonja” që do interpretohet nga vetë Gili e shoqëruar nga një tetër këngëtar që është në garë këtë vit në festival.
Do jetë Alis që do interpretojë këngën “Jon” të Ardit Gjebreas shoqëruar nga Anxhela Peristeri. Do kemi Eneda Tarifën.
Fifi ka marrë mikun dhe bashkëpunëtorin e saj me 9 këngë Young Zerka. I kanë zgjedhur vetë, në bashkëpunim dhe me drejtoreshën artistike. Do jetë Kozma Dushi. Do jenë shumë artistë që do bashkohen me artistët që janë në garë për të sjellë duete, trio, për të kujtuar këngët që kanë lënë gjurmë. Ajo që më pëlqen këtë vit, janë përqendruar në vitet e para ’90 dhe pas ’90.
Do këndohet kënga e Alban Skënderaj dhe Miriam Canit që ka qenë një nga duetet më të bukura në Festival, do të këndohet kënga “Shiu” e Ylli Limanit që pak e dinë që ai ka qenë në garë në Festivalin e Këngës. Na pret një natë e bukur, një natë spektakli”, deklaroi Xhahu.
Biletat mund të blihen vetëm online përmes platformës zyrtare www.myticket.al.
/rtsh.al/