E Diel, 1 Nëntor 2026

Tabaku: Analiza e investimeve të huaja nuk duhet të kufizohet vetëm te mediet

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Deputetja e Partisë Demokratike, njëherazi kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, reagoi sot ndaj nismës së qeverisë për të kryer një analizë të burimeve të investimeve të huaja në vend.

Përmes një videomesazhi, Tabaku u shpreh se ky është një legjislacion që pak muaj më parë e ka propozuar në parlament, ndërkohë që sipas saj, në nismën e propozuar nga qeveria “djalli ndodhet në detaje”.

Tabaku tërhoqi vëmendjen për dy elementë kryesorë të kësaj nisme ligjore. Së pari, ajo nënvizoi se analizë e sigurisë së burimeve të kompanive që do të vijnë këtu në Shqipëri do ta bëjë vetë qeveria, që sot zyrtarisht është nën akuzë dhe nën hetim si grup i strukturuar kriminal.

“Së dyti, kjo analizë do të fokusohet vetëm tek media. Po çfarë do të ndodhë me gjithë sektorët e tjerë, me infrastrukturën, me energjinë, me teknologjinë e informacionit? A do të hetohen, do të analizohen investitorët e huaj që vijnë në këto sektorë?”, u shpreh Tabaku.

Ajo mori si shembull projektin e fundit që qeveria po zhvillon për sa i përket kamerave “smart city”.

“Cilët janë nënkontraktorët dhe si do të sigurohemi ne që këta investitorë që po vijnë janë nga burime dhe vende të sigurta. Pra, një grup i cili zyrtarisht është nën akuzë si grup i strukturuar kriminal, përveçse të dhënave të gjendjes civile, e-Albania, dosjeve hetimore, mund të ketë nesër edhe këto të kamerave të qytetarëve”, tha ajo.

Ky, sipas Tabakut, është një problem i jashtëzakonshëm sepse lidhet jo vetëm me një angazhim për procesin e integrimit dhe për një ligj që na duhet për procesin e integrimit për analizën e investimeve të huaja, por lidhet edhe me një detyrim, me norma, standarde dhe vlera që duhet të ketë Shqipëria.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›