E Diel, 1 Nëntor 2026

“Epstein”, Bondi thirret të dëshmojë/ Kongresi kërkon prokuroren e përgjithshme për shpjegime për dosjet

Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve, i udhëhequr nga republikanët, votoi për të thirrur Prokuroren e Përgjithshme amerikane, Pam Bondi, për të dëshmuar në lidhje me rolin e saj në publikimin e dosjeve të Jeffrey Epstein.

Mocioni për të thirrur Bondin që të dëshmojë u paraqit nga Nancy Mace, një ligjvënëse republikane, e cila akuzoi departamentin e drejtësisë se po fsheh informacion.

Bondi dhe administrata Trump janë përballur me kritika për mënyrën se si e kanë trajtuar publikimin e dosjeve, duke përfshirë edhe dështimin për të fshehur emrat e viktimave të Epstein.

Departamenti i drejtësisë ka publikuar miliona dokumente dhe ka thënë se ato janë të fundit që ka në lidhje me pedofilin dhe trafikantin seksual, por janë të paktën edhe 3 milionë dokumente të tjera që mbeten të vulosura.

Pam Bondi ka qenë në qendër të kritikave, pasi tha fillimisht se lista e shumëpërfolur e klientëve të Epstein ishte në tryezën e saj dhe po e shqyrtonte, por Departamenti i Drejtësisë në korrik tha se kishte arritur në përfundimin se nuk ekzistonte asnjë “listë klientësh”.

Bondi ka mbrojtur mënyrën se si departamenti e menaxhoi publikimin e dosjeve dhe ka akuzuar demokratët se po e përdorin situatën për të hequr vëmendjen nga sukseset e Trump, edhe pse disa nga kritikat më të zëshme kanë ardhur nga anëtarë të partisë së vetë presidentit.

Vendimi për të kërkuar dëshminë e Bondit vjen pasi disa media ndërkombëtare raportuan se disa të dhëna që përfshinin akuza të pakonfirmuara të bëra nga një grua kundër Trumpit, nuk u përfshinë në dosjet e publikuara./abcnews.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›