Ervin Salianji kritikon Partia Demokratike: drejtim për interesa personale dhe rezultat “katastrofik” në zgjedhje

Përçarjet brenda Partisë Demokratike dhe humbjet në zgjedhje kanë qenë në fokus të deklaratave të ish-deputetit Ervin Salianji, gjatë një interviste në Fax News me gazetaren Fatime Baci.
Salianji u shpreh kritik ndaj drejtimit aktual të partisë, duke theksuar se, sipas tij, PD po përdoret për interesa personale nga disa individë.
“Një gjë është e vërtetë, se qëndrimi i Berishës dhe disa individëve të tjerë e përdorin PD për interesa të veta personale, duke i shërbyer Edi Ramës”, u shpreh ai. Duke iu referuar zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, ai theksoi se diferenca mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike ishte minimale në vota, pavarësisht problemeve të opozitës. “83 mandate PS. Në 2021, PD edhe pse vinte nga një sërë gabimesh, diferenca me PS ishte vetëm 30 mijë vota”, deklaroi Salianji. Ai e cilësoi rezultatin e mëvonshëm të Partisë Demokratike si katastrofik, duke mos i kursyer kritikat për mënyrën e drejtimit. “PD pati një rezultat katastrofik, nuk duhet t’u hedhesh hi syve qytetarëve. Gabimet e PD, shkatërrimi i meritës, konsumimi personal i Berishës, me vite kanë të njëjtin muhabet”, tha ai. Salianji u ndal edhe tek mënyra e organizimit të protestave, duke i cilësuar ato të paefektshme dhe pa një strategji të qartë. “Xhirot në bulevard nuk janë zgjidhje për ndryshim. Protesta pa strategji, si miza pa kokë – dil andej, rrotullohu këtej andej”, u shpreh ai.
Në vijim, ish-deputeti theksoi nevojën për vlerësimin e kontributeve brenda partisë dhe dëgjimin e demokratëve: “Në PD duhen vlerësuar kontributet e të gjithëve në parti. Demokratët janë të pakënaqur sepse nuk përfillen nga krerët”, deklaroi ai. Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi besueshmërinë e një force politike që, sipas tij, përballet me mungesë sinqeriteti brenda vetes. “Si mund të jetë e besueshme një parti politike kur brenda partisë vetë thonë të pavërteta? Është e vetmja parti në botë që u kërkon llogari anëtarëve pse nuk fituam, ndërkohë që lidershipi është vendosur për t’i çuar drejt fitores”, përfundoi Salianji.