Euro U-17, Duka: Mundësi unike për të rinjtë tanë që të tregojnë talentin

TIRANË, 19 maj /ATSH/ Dita e sotme shënon një ditë historike për futbollin shqiptar, pasi për herë të parë në vendin tonë zhvillohet një kampionat europian, UEFA European Under-17 Championship Albania 2025.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka shprehet, në një postim në rrjetin social X, se kjo është një mundësi unike për të rinjtë tanë që të tregojnë talentin, për tifozët që të përjetojnë emocione të mëdha dhe për gjithë Shqipërinë që të jetë në qendër të vëmendjes europiane.
Ai u uron mirëseardhjen ekipeve pjesëmarrëse: Portugalisë, Gjermanisë, Francës, Italisë, Anglisë, Belgjikës dhe Çekisë.
“Le të jetë ky Europian një festë e vërtetë në Tiranë, Durrës, Rrogozhinë dhe Elbasan”, shprehet Duka.
Grupet e turneut:
Grupi A: Shqipëri (pritëse), Francë, Gjermani, Portugali
Grupi B: Itali (kampione në fuqi), Belgjikë, Angli, Çeki
Stadiumet ku do të luhen ndeshjet:
“Arena Kombëtare”, Tiranë;
“Elbasan Arena”, Elbasan;
“Arena Egnatia”, Rrogozhinë;
“Niko Dovana”, Durrës.