Euro në tjetër dilemë
Por nëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës flitet për uljen e disatë të normës bazë të interesit, në vendet e eurozonës ka një problem që shkon në kah të kundërt me këtë. Rritja e çmimeve po kërcënon tashmë seriozisht ekonomitë e fuqishme evropiane. Guvernatori i Bankës Qendrore Evropiane, Jean Claud Trichet, mundi t‘u bëjë ballë presioneve nga brenda dhe jashtë bankës për të rritur normën bazë të interesit, ndonëse pranoi se vendet e eurozonës kërcënohen nga inflacioni për shkak të rritjes së çmimeve për ushqimet dhe ato të energjisë. Në nëntor të këtij viti, inflacioni në zonën euro arriti nivelin e tij më të lartë në 6 vitet e fundit prej 3 për qindësh. Kjo ka bërë që për herë të parë gjatë mbledhjes së fundit të BQE, anëtarët e saj kanë debatuar për normën bazë të interesit. Disa prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës kanë kërkuar rritjen e saj, për t‘i vënë fre rritjes së çmimeve, por në fund me shumicë votash norma është mbajtur e pandryshuar në nivelin 4 për qind. Edhe Komisioni Evropian duket se nuk është në favor të rritjes së normës së interesit. Ekonomia evropiane është në kushte të mira për të absorbuar goditjet e mundshme që vijnë nga inflacioni, prandaj do të kërkoja që BQE-ja të tregohej e kujdesshme në vendimet e saj për rritjen e kostos së parasë", ka deklaruar Pedro Almunia, komisioner i Bashkimit Evropian për politikën monetare.