Rama: Pavarësia e Kosovës, erë e re për rajonin
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vlerësoi dje se pavarësia e Kosovës do të sjellë një erë të re në Ballkan. Sipas tij, ashtu sikundër pritej nga të gjithë ata që janë të mirinformuar për çështjen shqiptare, ditët e negociatave shtesë mbaruan dhe nuk dhanë asnjë rezultat tjetër, përveç rezultatit të ditur dhe të natyrshëm. "Ai është opsioni i vetëm në tavolinë, pavarësi Kosovës, si e vetmja rrugë për të garantuar paqen edhe stabilitetin në rajon", theksoi Rama. Sipas tij, ky ishte fundi i një procesi, i cili ishte tërësisht i paralajmëruar si një proces që nuk mund të jepte një rezultat tjetër. "Si një proces që nuk mund të spostonte paketën e Ahtisarit me një opsion tjetër", u shpreh kreu socialist. Sot unë jam këtu, tha ai, për të thënë në emër të të gjithë socialistëve dhe progresistëve, se kemi të bëjmë me një unifikim të shteteve të Bashkimit Evropian, në qëndrimin e tyre për pavarësinë si një opsion, i cili nuk mund të tjetërsohet. "Qëndrimi i konfirmuar dhe i palëkundur i aleatit të madh të Kosovës, Shqipërisë e të gjithë shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pavarësinë e Kosovës dhe qëndrimi i matur dhe largpamës i Ekipit të Unitetit, si një garanci jo vetëm për popullin e Kosovës, por për të gjithë rajonin përbëjnë elementët e mjaftueshëm", vlerësoi Rama. Elementë që, sipas tij, do të sjellin në një datë të afërt e të vendosur bashkërisht mes gjithë këtyre faktorëve, pavarësinë e Kosovës edhe de jure, sepse de facto Kosova është e pavarur. "Mbledhja e djeshme e ministrave të Jashtëm të BE-së është një tjetër hap suksesi në drejtim të koordinimit dhe bashkërendimit të veprimit të vendeve evropiane, ku shumica e tyre është shprehur në mbështetje të opsionit të pavarësisë së Kosovës, natyrisht të monitoruar", tha ish-ministri i Jashtëm, Kastriot Islami. Sakaq, ish-ministri Paskal Milo tha se pozicioni i Kosovës në raport me të ardhmen e statusit të vet është shumë më mirë se çka qenë. "Çështja e pavarësisë besoj se do të mund të shpallet nga pranvera e vitit që vjen", vlerësoi Milo.