E Hënë, 2 Nëntor 2026

Eurobarometri 2025: Vendet Nordike mbështesin më fort anëtarësimin e Shqipërisë. Franca, Gjermania e Greqia, më skeptikët

Një sondazh i publikuar këtë shtator nga Eurobarometri për 2025 tregon se mbështetja për zgjerimin e Bashkimit Evropian mbetet në nivele të larta, sidomos tek të rinjtë të moshës 15 deri në 39 vjeç.

56% e qytetarëve të BE-së janë në favor të zgjerimit të mëtejshëm të BE-së dhe besojnë gjithashtu se vendi i tyre do të përfitonte nga zgjerimi i ardhshëm. Përparësitë më të njohura përfshijnë ndikim më të fortë të BE-së në botë (37%) , një treg më të madh për bizneset e BE-së (37%), më shumë mundësi pune (31%) dhe më shumë solidaritet midis vendeve (30%).

Lidhur me anketimin për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, rezulton se vendet nordike dhe disa shtete të Evropës Jugperëndimore janë mbështetësit më të mëdhenj që janë në favor të anëtarësimit të vendit tonë.

Në krye qëndron Suedia, ku 74% e qytetarëve shprehen pro hyrjes së Shqipërisë në BE, e ndjekur nga Danimarka me 60%, Holanda (59%), Kroacia (58%), Maltë (57%) dhe Spanja (55%).

Nga ana tjetër, vendet që kanë rezervat më të mëdha ndaj procesit të zgjerimit me Shqipërinë janë kryesisht nga Evropa Qendrore dhe Lindore. Në Çeki, Gjermani, Francë, Greqi dhe Belgjikë mbizotëron skepticizmi për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, me mbështetje që varion nga vetëm 29% deri në 40%, ndërsa shumica e të anketuarve në këto vende shprehen kundër.

Në Çeki vetëm 29% e anketuesve ishin pro anëtarësimit të Shqipërisë, ndërsa 62% ishin kundër. Në Gjermani 35% ishin pro dhe 56% kundër, në Francë 36% janë por dhe 48% kundër, në Greqi 39% pro dhe 58% kundër dhe Belgjikë me 40% pro dhe 56% kundër.

Ndërsa vendet që janë ende në “mëdyshje” dhe të ndarë lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në BE janë Italia (48% pro, 47% kundër), Polonia (47% pro, 43% kundër) apo Lituania (45% pro, 39% kundër).

Përtej mbështetjes së vendeve anëtare të BE kundrejt anëtarësimit të Shqipërisë, sipas Eurobarometrit, 92% e shqiptarëve shprehen pro hyrjes në Bashkimin Evropian dhe 82% e tyre kanë një përshtypje pozitive për unionin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›