E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nisin konsultimet për Kodin e Ri Penal. Manja: Duhet ta kemi brenda 2026-ës, miratohet vetëm me “vulën” e Brukselit

Ministria e Drejtësisë ka nisur konsultimet publike për Kodin e Ri Penal.

Ky proces, theksoi të enjten (4 shtator) ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, vjen si domosdoshmëri për përmirësimin e kuadrit ligjor penal dhe si pjesë e angazhimeve të vendit në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shqipëria synon që Kodi të marrë formën përfundimtare deri në fund të vitit 2026, ndërsa miratimi i tij do të bëhet vetëm kur të japë “vulën” Brukseli.

“Ministria e Drejtësisë ka pasur rolin e porositësit të këtij procesi, në përmbushje të detyrimeve që burojnë nga strategjia për procesin e negociatave me BE. Hartimi i Kodit të Ri Penal është bërë i domosdoshëm pas reformës në drejtësi të vitit 2017 dhe për shkak të ndryshimeve të shpeshta që ka pësuar Kodi aktual.

Shqipëria duhet të ketë një Kod të Ri Penal deri në fund të 2026-ës. Shqipëria do të ketë Kod të Ri Penal vetëm kur të marrë vulën e Brukselit. Shqipëria e ka të qartë destinacionin e saj, mbylljen e negociatave brenda 2027-ës dhe anëtarësimin në BE brenda 2030-ës. Ky kod do të jetë ekuivalent siç janë të gjitha kodet penale të vendeve të BE”, tha Manja.

Ministri theksoi se paralelisht me këtë, Shqipëria duhet të përmbushë disa detyrime urgjente që lidhen me përafrimin e kuadrit penal ekzistues me legjislacionin evropian. Ai bëri të qartë se ky proces është i ndarë nga konsultimi publik për Kodin e Ri Penal dhe ndërhyrjet e përkohshme në kuadrin penal aktual kanë për qëllim përmbushjen e detyrimeve për grupin e kapitujve themelorë të negociatave me BE-në.

“Shqipërisë i kërkohet që brenda muajit tetor të reflektojë në Kodin Penal ekzistues gjashtë direktiva që kanë të bëjnë me veprat penale të pastrimit të parave dhe terrorizmin, trafikimin e drogave, rishikimin e kuadrit ligjor lidhur për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore dhe mbrojtjen e tyre, abuzimin seksual dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve, për armët dhe shpifjet.

Ky proces do të jetë i ndarë me procesin e konsultimit publik që do zhvillohet me draftin e Kodit të Ri Penal. Në kuadër të përmbushjes së detyrimeve tona në tryezën e negociatave për grupet themelore për të mbyllur negociatat deri në fund të tetorit, atëherë këto ndryshime do të reflektohen në Kodin Penal aktual dhe më pas këto do të reflektohen edhe në Kodin e Ri Penal”, tha Manja.

Procesi i konsultimeve publike do të përfshijë aktorë të sistemit të drejtësisë, shoqërinë civile, akademikë, ekspertë të së drejtës dhe qytetarët për të garantuar një sistem më efikas të drejtësisë penale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›