FEST 64/ Elhaida Dani: Këtë vit të rinjtë do të bëjnë revolucion me muzikën e tyre, ka rekord aplikimesh

Drejtoresha Artistike e Fest 64 në RTSH, Elhaida Dani, ka folur jo vetëm për suksesin e festivalit një vit më parë për të cilin tha se është fryt i një pune të palodhur të qindra njerëzve dhe jo çështje fati, gjithashtu zbuloi se këtë vit ka pasur një rekord aplikimesh për të hyrë në garën e Fest 64.
Sipas Danit, kjo ka ndodhur edhe për faktin sepse artistët janë frymëzuar nga shija e mirë e festivalit të një viti më parë.
E ftuar në podcastin “The Dalina Show”, Elhaida Dani u shpreh se nuk është koha për lavdërime dhe as për të përsëritur veten, por për t’i dhënë ritëm një tjetër edicioni nga i cili publiku pret shumë.
“Këtë vit në fazën e aplikimeve kanë dorëzuar materialet e tyre 120 artistë, asnjëherë më parë nuk kanë konkurruar kaq shumë, ky është një rekord. Këtë vit ka gjithashtu shumë të rinj në festival, mendoj se shumë të rinj janë frymëzuar nga grupi Shkodra Elekronike dhe kanë sjellë materiale shumë cilësore, dhe mendoj që këtë vit të rinjtë do të bëjnë revolucion me materialet e tyre muzikore”, theksoi Elhaida Dani.
Drejtoresha artistike e Fest 64 zbuloi edhe projektin e saj më të ri, një album muzikor i cili pritet që të dalë për publikun përpara Festivalit të fundvitit. Në këtë album do të ketë edhe bashkëpunime me shumë artistë të njohur si MC Kresha, Olsi Bylyku etj.