E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – 20 vende i bëjnë thirrje Izraelit të lejojë shpërndarjen e ndihmave në Gaza

BERLIN, 23 maj /ATSH-DPA/ – Ministrat e Jashtëm nga më shumë se 20 vende, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Britaninë, i kanë kërkuar Izraelit të rihapë plotësisht aksesin humanitar në Rripin e Gazës.

“Pavarësisht pranimit të shenjave të një rifillimi të kufizuar të ndihmës, Izraeli ka bllokuar hyrjen e ndihmës humanitare në Gaza për më shumë se dy muaj. Ushqimet, ilaçet dhe furnizimet bazë po mbarojnë. Popullsia është në rrezik të vuajë nga uria. Populli i Gazës duhet të marrë ndihmën që i nevojitet urgjentisht”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

E nënshkruar nga ministrat e jashtëm të 22 vendeve, deklarata kritikon ashpër vendimin e Izraelit për të lejuar vetëm pesë kamionë të ngarkuar me ndihma humanitare të hyjnë në brezin bregdetar të rrethuar të hënën.

Ministrat i bënë dy kërkesa të qarta Izraelit, “të lejohet rifillimi i menjëhershëm i plotë i ndihmës për Gazën dhe të lejohet që Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare të punojnë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme për të shpëtuar jetë, për të zvogëluar vuajtjet dhe për të ruajtur dinjitetin”.

Sipas burimeve izraelite, kjo është shpërndarja e parë e ndihmave në Gaza pas një bllokade që zgjati gati tre muaj.

Megjithatë, vetëm pesë kamionë u lejuan të hynin në territorin bregdetar./  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›