E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Anulohet takimi midis Zelensky dhe delegacionit të SHBA-së në Bruksel

KIEV, 3 dhjetor /ATSH/- Takimi i planifikuar në Bruksel midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe delegacionit amerikan, që përfshinte të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e presidentit Donald Trump, Jared Kushner, është anuluar, sipas “Kyiv Post”.

“Takimi i Brukselit është anuluar, Zelensky po kthehet në Ukrainë”, shkroi ne X korrespondenti kryesor i “Kyiv Post” në Uashington DC, Alex Raufoglu.

Sipas Kremlinit, Witkoff dhe Kushner kishin udhëtuar direkt drejt Uashingtonit pas bisedimeve të tyre dje me udhëheqësin rus, Vladimir Putin në Moskë – një deklaratë e pakonfirmuar nga pala amerikane.

Arsyeja e anulimit nuk është zbuluar ende.

“Rusia dhe SHBA-ja nuk arritën “asnjë kompromis” pas gati pesë orësh bisedimesh për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë”, tha ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, duke shtuar se diskutimet kishin qenë konstruktive, shumë të dobishme dhe thelbësore.

Ai njoftoi gjithashtu se Witkoff dhe Kushner do të ktheheshin në Uashington në vend të udhëtimit të tyre në Evropë ose Kiev për bisedime të mëtejshme.

Takimi në Moskë mblodhi Witkoff, Kushner, Putin dhe ndihmësit e lartë të Kremlinit. Ai pasoi rishikimet e një plani të mëparshëm prej 28 pikash – të konsideruar nga Evropa dhe Kievi si një “listë dëshirash” ruse.

Ushakov tha se bisedimet ishin përqendruar në “thelbin” e propozimeve dhe jo në formulimet specifike dhe se Moska do të vazhdonte kontaktet me Uashingtonin.

“Një takim në nivel presidencial, do të varej nga progresi që mund të arrihet”, tha ai.

Një zyrtar rus tha për “NBC News” se ishim tre shtylla të panegociueshme për Moskën, territori i Donbasit; kufizimet në forcat e armatosura të Ukrainës; dhe njohja e pretendimeve territoriale të Rusisë.

Ushakov tha se territori mbetej çështja më e rëndësishme.

Presidenti rus, Vladimir Putin thuhet se e la delegacionin amerikan të priste për më shumë se një orë, ndërsa mbajti një fjalim ku deklaroi se Rusia ishte “e gatshme” për luftë me Evropën nëse ajo provokohej. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›