E Diel, 1 Nëntor 2026

KOMENT – A janë asetet e ngrira ruse arma e Evropës për të siguruar një vend në bisedimet për Ukrainën?

Nëse ka ndonjë mënyrë sesi zyrtarët e Bashkimit Evropian mendojnë se mund të marrin pjesë në bisedimet për zgjidhjen e luftës në Ukrainë, ajo është përmes 176 miliardë eurove të aseteve të ngrira ruse, që po mbahen brenda bllokut dhe mënyrës se si ato mund të përdoren politikisht dhe ekonomikisht.

Muajin e kaluar, BE-ja u anashkalua kur Shtetet e Bashkuara e paraqitën një plan paqeje, i cili u “përpunua” më pas kur diplomatët amerikanë dhe ukrainas u takuan në Gjenevë disa ditë më vonë.

Zyrtarët evropianë, duke folur për Radion Evropa e Lirë (REL) nën kushtin e anonimatit, thonë se kanë arritur t’i heqin disa nga idetë fillestare të tekstit që lidhen drejtpërdrejt me anëtarësimin e Ukrainës në BE dhe NATO.

Por, Evropa ka një “biletë të artë” në dorë që mund t’ia sigurojë një vend në tryezën e bisedimeve: financimi për Ukrainën.

Duke u zotuar “për t’i mbuluar nevojat financiare të Ukrainës për vitet 2026 dhe 2027”, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, së fundmi u dha shteteve anëtare tri opsione për t’i siguruar rreth 140 miliardë euro për Kievin gjatë dy vjetëve të ardhshme.

Meqë Shtetet e Bashkuara po ngurrojnë të japin të holla shtesë për Ukrainën, gatishmëria e BE-së për të ndërhyrë është bërë vendimtare për Kievin, pasi pushtimi i plotë rus është aftër t’i mbushë katër vjet.

Opsioni i parë i shpjeguar nga von der Leyen në dokument është që shtetet individuale anëtare t’ia japin Ukrainës paratë.

Në opsionin e dytë, Komisioni Evropian do t’i grumbullojë fondet e nevojshme nga tregjet financiare. Por, është opsioni i tretë – një hua për dëmshpërblime duke shfrytëzuar asetet e ngrira ruse në BE – ai që është më popullori, pasi nuk do të ndikonte drejtpërdrejt në xhepat e taksapaguesve të BE-së.

Megjithatë, nuk është aq e thjeshtë.

Së pari, koha po soset dhe, Belgjika, ku shumica e këtyre aseteve janë të ngrira, ende e kundërshton këtë hap. Pastaj, janë edhe Shtetet e Bashkuara, të cilat në propozimin e tyre fillestar gjithashtu shprehën interesim për të marrë një pjesë të madhe të fondeve.

Von der Leyen i tha Parlamentit Evropian më 26 nëntor se nuk mund të “shoh asnjë skenar ku taksapaguesit evropianë do ta paguajnë të vetëm faturën” për Ukrainën dhe se ishte e gatshme të paraqiste tekstin ligjor për huan e dëmshpërblimeve.

Sigurimi i mbështetjes për një hua dëmshpërblimesh

Sipas burimeve të REL-it, Komisioni Evropian po punon tani në hiç më pak se në 11 akte ligjore lidhur me huan, dhe se kryeqytetet e BE-së janë shumë të zemëruara pasi ende nuk kanë parë hollësi konkrete se si do të funksionojë plani.

Një zyrtar i Komisionit Evropian i tha REL-it se ideja origjinale ishte të sigurohej së pari mbështetje politike për huan e dëmshpërblimeve kur udhëheqësit e BE-së të mblidhen në një samit në Bruksel më 18 dhjetor.

Hollësitë do të zgjidheshin në fillim të vitit të ardhshëm për ta mundësuar fillimin e rrjedhjes së parave drejt Kievit deri në tremujorin e dytë të vitit 2026.

Ekziston gjithashtu frika se diplomatët dhe avokatët kombëtarë mund të ngatërrohen në detaje dhe të jenë pengesë për shanset e arritjes së një marrëveshje nëse aktet ligjore prezantohen shumë herët.

“Këndi amerikan”

Por, belgët nuk janë pengesa e vetme që duhet tejkaluar.

Ekziston gjithashtu “këndi amerikan”, siç e quajnë disa zyrtarë të BE-së.

Plani fillestar amerikan 28-pikësh për paqen përmendte se “100 miliardë dollarë të aseteve të ngrira ruse do të investohen në përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për rindërtimin dhe investimin në Ukrainë” dhe se “SHBA-ja do të marrë 50 për qind të fitimeve nga ky projekt”.

Ky formulim shqetësoi vërtet politikanët dhe diplomatët evropianë, veçanërisht pasi ata kishin parashikuar që paratë e dhëna Ukrainës në formën e një huaje për dëmshpërblime do të përdoren nga Kiev për të blerë armë të prodhuara në Evropë.

Zyrtarët e BE-së thonë se shumica e pjesëve të propozimit origjinal amerikan janë dobësuar ose janë hequr plotësisht, por ata pranojnë se çdo dokument përfundimtar mund të ndryshojë ndjeshëm dhe ata nuk kanë qasje në diskutimet e fundit mbi formulimin.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›