Trump ultimatum Iranit dhe Izraelit: Mos e shkelni armëpushimin

Presidenti Donald Trump deklaroi të martën se një armëpushim mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në fuqi dhe u bëri thirrje të dy vendeve që të mos e shkelin atë, vetëm disa orë pasi Irani lëshoi valë raketash, të cilat sipas shërbimit të ambulancës izraelite, lanë katër të vrarë në qytetin Beersheba.
“ARMËPUSHIMI KA HYRË NË FUQI. JU LUTEM, MOS E SHKELNI!”, shkroi Trump në një postim në platformën Truth Social.
Trump njoftoi të hënën për një armëpushim të plotë për t’i dhënë fund një lufte 12-ditore, duke sugjeruar se Izraeli dhe Irani do të kishin kohë të përfundonin operacionet ushtarake që kishin nisur, përpara se armëpushimi të hynte në një fazë zbatimi të pjesshëm.
Dëshmitarët thanë se dëgjuan shpërthime pranë Tel Avivit dhe Beershebës, në jug të Izraelit, përpara deklaratës së Trumpit. Ushtria izraelite bëri të ditur se Irani lëshoi gjashtë valë raketash, ndërsa katër persona humbën jetën në Beersheba viktimat e para në Izrael që prej shpalljes së armëpushimit.
Agjencia gjysmë zyrtare iraniane SNN raportoi të martën se Teherani e përfundoi valën e fundit të sulmeve me raketa para se të hynte në fuqi armëpushimi.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump kishte ndërmjetësuar marrëveshjen për armëpushim gjatë një telefonate me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Izraeli kishte rënë dakord, me kushtin që Irani të mos kryente më sulme të tjera.
“Me supozimin që gjithçka do të funksionojë siç duhet dhe do të funksionojë, dua të përgëzoj të dy vendet, Izraelin dhe Iranin, për durimin, guximin dhe mençurinë që treguan për t’i dhënë fund asaj që duhet të quhet ‘LUFTA 12-DITORE’,” shkroi Trump në Truth Social.
/vizionplus.tv