FOKUS – Asnjë përparim thelbësor pas ditës së dytë të bisedimeve mbi luftën në Gaza

KAJRO, 7 tetor /ATSH-DPA/ – Dita e dytë e negociatave në Sharm el-Sheikh, që synojnë t’i jepnin fund luftës në Gaza përfundoi sot pa ndonjë përparim të dukshshëm, sipas burimeve egjiptiane të sigurisë.
Bisedimet po zhvillohen me pjesëmarrjen e Katarit dhe nën ndërmjetësimin egjiptian.
Një zyrtar i lartë i sigurisë, i njohur me diskutimet, tha se “situata mbetet e pandryshuar krahasuar me ditën e parë”.
Burimi tha se delegacioni i Hamasit vazhdon të kërkojë garanci të forta se Izraeli nuk do të rifillojë operacionet ushtarake pas lirimit të pengjeve, duke këmbëngulur se lufta duhet të ndalet plotësisht para çdo shkëmbimi.
Sipas transmetuesit egjiptian ”Al Qahera News”, listat e të burgosurve që Hamasi po kërkon lirimin përfshijnë figura të shquara palestineze si Marwan Barghouti, Ahmed Saadat, Hassan Salameh, Abbas al-Sayed dhe të tjerë.
Hamasi ka bërë gjithashtu thirrje për sqarim të mekanizmave dhe procedurave të nevojshme për të zbatuar planin e Trump, duke përfshirë garancitë se Izraeli nuk do të kthehet në agresion kundër Gazës.
Burimi egjiptian shtoi se delegacioni izraelit deri më tani ka refuzuar të marrë ndonjë angazhim në lidhje me garanci të tilla ose të diskutojë ndalimin e luftës para shkëmbimit.
Zyrtari tha se delegacioni amerikan, i kryesuar nga Steven Witkoff, pritet t’i bashkohet nesër bisedimeve, me ndërmjetësuesit që shpresojnë se pjesëmarrja amerikane do të ndihmojë në presionin ndaj palës izraelite për të treguar fleksibilitet në pikat kryesore të diskutueshme – veçanërisht kërkesën për garanci kundër një konflikti të ripërtërirë sapo të lirohen pengjet./ a.jor.