E Hënë, 2 Nëntor 2026

ITALI – Protesta të dhunshme pro palestineze në Torino dhe Bolonja

TORINO, 7 tetor /ATSH-ANSA/ – Disa qindra protestues pro palestinezëve dolën sonte në rrugët e Torinos dhe Bolonjës për të përkujtuar masakrën e 7 tetorit duke iu përgjigjur thirrjes së grupimit të ”Palestinezëve të rinj”.

Në Bolonja, përleshjet shpërthyen në mbrëmje midis protestuesve dhe policisë në Via Rizzoli, pranë Piazza Maggiore.

Oficerët përdorën gjithashtu ujë me presion për të shpërndarë të rinjtë që ishin mbledhur në Piazza del Nettuno, pavarësisht kufizimeve.

Zona të tëra ishin rrethuar nga një vendosje masive e policisë, e cila kishte marrë udhëzime specifike për të frenuar teprimet.

Sot në mëngjes, ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi bëri thirrje “të mos njolloset përvjetori i një tragjedie të madhe”.

Por, protestat u zhvilluan në Piazza Castello të Torinos dhe në Piazza del Nettuno të Bolonjës.

Në mbrëmje, dy sheshet u mbushën me njerëz që mbanin flamuj dhe megafonë.

Policia kundër trazirave më pas rrethoi zonat, duke penguar në një moment hyrjen e mëtejshme, mes britmave të aktivistëve.

Deri më tani, nuk janë raportuar tensione të shtuara.

Përgjatë rrugëve, shumë njerëz u shfaqën në ballkonet e tyre, duartrokitën dhe disa valëvitën flamuj palestinezë./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›