E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – Automjetet amerikane do të lejohen të hyjnë në BE pa taksa, sipas marrëveshjes së re tregtare

BRUKSEL, 28 korrik /ATSH-DPA/- Automjetet e prodhuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të importohen në Bashkimin Evropian pa taksa – sipas marrëveshjes së re tregtare midis Brukselit dhe Uashingtonit, tha sot një zyrtar i BE-së.

BE-ja aktualisht ka vendosur një tarifë prej 10% për importet e automjeteve nga SHBA-ja dhe do të ishte e gatshme ta ulte normën nëse Uashingtoni ul tarifat për automjetet e BE-së.

Automjetet e prodhuara në BE të eksportuara në SHBA do t’i nënshtrohen një tarife prej 15%, sipas marrëveshjes së arritur dje midis presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump.

Përpara se se Trump të kthehej në detyrë, tarifa për automjetet evropiane të eksportuara në SHBA ishte 2,5%.

Megjithatë, aktualisht, Uashingtoni ka një taksë prej 27,5% për automjetet e importuara pasi presidenti i SHBA-së vendosi ta rrisë normën në mars.

Marrëveshja tregtare e arritur dje i dha fund negociatave disamujore midis BE-së dhe SHBA-së – në një përpjekje për të shmangur rritjen e mëtejshme të tarifave prej 30% për produktet evropiane.

“Sipas marrëveshjes, norma e tarifës prej 15% do të zbatohet për shumicën e sektorëve,  përveç automjeteve, gjysmëpërçuesve dhe farmaceutikëve”, njoftoi Von der Leyen dje në mbrëmje.

BE gjithashtu ra dakord të blejë energji me vlerë 750 miliardë dollarë nga SHBA-ja dhe të investojë 600 miliardë dollarë shtesë në SHBA.

Tarifat për importet e çelikut dhe aluminit do të mbeten në 50%.

Tarifat nga të dyja palët do të ulen në zero për kategori të caktuara produktesh, duke përfshirë të gjitha pjesët e avionëve dhe përbërësve dhe disa kimikate, gjenerikë, pajisje gjysmëpërçuese, produkte bujqësore, burime natyrore dhe lëndë të para të rëndësishme.

“Nëse do ta përmblidhja marrëveshjen BE-SHBA në një fjali, do të thoja se ajo do të sjellë stabilitet të ripërtërirë dhe hap derën për bashkëpunim strategjik”, tha sot komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maros Sefcovic.

“Ky është rezultat i një përpjekjeje të vërtetë dhe të vazhdueshme shumëmujore”, tha ai, duke shtuar se ai dhe ekipi i tij kishin udhëtuar 10 herë nga Brukseli në Uashington që nga fillimi i vitit.

Në reagimin e saj fillestar, Federata e Industrive Gjermane (BDI) deklaroi se marrëveshja ishte një kompromis i pamjaftueshëm – që dërgonte një sinjal katastrofik për ekonomitë e ndërthurura ngushtë në të dy anët e Atlantikut.

“Edhe një normë tarifore prej 15% do të kishte efekte të mëdha negative në industrinë gjermane të orientuar drejt eksportit”, tha BDI.

“Le të ndalemi për një moment dhe të shqyrtojmë një alternativë”, tha Sefcovic, duke shtuar se norma tarifore prej 30% do të thoshte që tregtia transatlantike do të ndalej në mënyrë efektive dhe do të rrezikonte 5 milionë vende pune. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›