FOKUS – Avionët ushtarakë amerikanë mbërrijnë në Qipro, ndërsa bota pret vendimin e Iranit

ATHINË, 18 qershor /ATSH-DPA/- Ministri i Mbrojtjes i Qipros, Vasilis Palmas ka konfirmuar se avionët ushtarakë amerikanë kanë mbërritur në bazën ajrore, në qytetin jugperëndimor, Paphos – ndërsa sulmet ajrore që shkëmbehen nga Irani dhe Izraeli vazhdojnë ta mbajnë ishullin në ankth.
Palmas tha se avionët amerikanë nuk ishin avionë luftarakë, por avionë transporti që përdoreshin për të lëvizur personelin ushtarak dhe, nëse ishte e nevojshme, edhe civilët.
Media lokale raportoi gjithashtu praninë e avionëve cisternë – që shërbejnë për të furnizuar avionët në ajër.
Numri i saktë i avionëve amerikanë të pozicionuar në Qipro nuk është zbuluar ende.
Qipro ndodhet 250 kilometra larg Izraelit.
Palmas siguroi publikun se, megjithëse raketat ishin të dukshme, ato ishin larg.
Ai theksoi se Qiproja po luante një rol humanitar në situatë dhe nuk ishte e përfshirë në konflikt.
Gjatë fundjavës, media amerikane raportoi se Uashingtoni kishte vendosur dhjetëra avionë cisternë në Evropë – për të mundësuar dislokimin e shpejtë në Lindjen e Mesme nëse do të ishte e nevojshme.
Këta avionë luajnë një rol kritik në operacionet luftarake, në shkallë të gjerë – duke u lejuar avionëve luftarakë të qëndrojnë në ajër më gjatë dhe të arrijnë objektiva të largëta. //a.i/