TEHERAN – Irani u kërkon qytetarëve të fshijnë “WhatsApp-in” nga pajisjet e tyre

TEHERAN, 18 qershor /ATSH/- Televizioni shtetëror iranian u bëri thirrje qytetarëve të hiqnin WhatsApp-in nga telefonat e tyre inteligjentë – duke pretenduar pa prova specifike – se aplikacioni i mesazheve mund të mblidhte informacione të përdoruesve për t’i dërguar në Izrael, sipas AP.
Në një deklaratë, “WhatsApp” tha se ishte i shqetësuar se këto raportime të rreme – mund të ishin një justifikim për bllokimin e shërbimit të platformës – në një kohë kur njerëzit kanë më shumë nevojë për të.
“WhatsApp” përdor “end-to-end encryption”, që do të thotë se ofruesi i shërbimit nuk mund të lexojë mesazhet.
“Ne nuk gjurmojmë vendndodhjen tuaj të saktë, nuk mbajmë regjistra se kujt i dërgoni mesazhe dhe nuk gjurmojmë mesazhet personale që njerëzit i dërgojnë njëri-tjetrit. Ne nuk u ofrojmë informacione asnjë qeverie”, shtoi “WhatsApp”
“WhatsApp” është në pronësi të “Meta Platforms”, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram.
Irani ka bllokuar aksesin në platforma të ndryshme të medieve sociale gjatë viteve, por shumë shtetas në vend përdorin proxy dhe rrjete private virtuale, ose VPN, për t’i aksesuar ato.
Irani ndaloi “WhatsApp-in” dhe “Google Play” në vitin 2022 gjatë protestave masive kundër qeverisë për vdekjen e një gruaje të arrestuar nga policia e moralit. Ky ndalim u hoq në fund të vitit të kaluar. //a.i/