E Martë, 3 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE: “AliExpress” të ndërmarrë masa kundër produkteve të paligjshme

BRUKSEL, 18 qershor /ATSH-DPA/- Platforma kineze online “AliExpress” do të ndërmarrë veprime më të ashpra kundër produkteve të paligjshme dhe potencialisht të rrezikshme, siç janë ilaçet dhe suplementet ushqimore, pas paralajmërimit të Komisionit Evropian.

Komisioni tha sot se konsumatorët do të ishin në gjendje të raportonin produktet e dyshimta më lehtë, ndërsa platforma ka premtuar se do t’i bëjë sistemet e saj të reklamimit dhe rekomandimeve më transparente.

“Komisioni Evropian ka pranuar dhe ka bërë të detyrueshme për “AliExpress” – një sërë angazhimesh – për të zgjidhur një numër shqetësimesh”, thuhet në deklaratë.

Gjobat do të vendosen menjëherë nëse kompania shkel detyrimet.

Autoriteti në Bruksel gjithashtu, njoftoi paraprakisht – se “AliExpress” kishte shkelur detyrimin e tij – për të vlerësuar dhe zbutur rreziqet që lidhen me shpërndarjen e produkteve të paligjshme – sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale.

“Sistemet e moderimit të dizajnuara për të parandaluar shpërndarjen e produkteve të paligjshme nuk janë të pajisura mjaftueshëm mirë”, argumentoi komisioni.

Për më tepër, sanksionet kundër tregtarëve që kanë publikuar vazhdimisht përmbajtje të paligjshme nuk zbatohen në mënyrë adekuate.

Komisioni, fillimisht nisi procedurat kundër “AliExpress” pasi publikoi shkeljet në mars të vitit 2024. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›