E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – BE propozon hapjen e negociatave për zgjerimin e roaming-ut në Ballkanin Perëndimor

BRUKSEL, 25 shkurt /ATSH-ANSA/  – Komisioni Evropian ka propozuar hapjen e negociatave me Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë për t’i integruar ato në regjimin “Roam like at home”, njoftoi ekzekutivi i BE-së.

Pasi marrëveshjet me secilin partner të finalizohen dhe secili të jetë plotësisht në përputhje me rregullat evropiane të roaming-ut, udhëtarët midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të jenë në gjendje të bëjnë thirrje, të dërgojnë mesazhe me tekst dhe të përdorin të dhëna celulare pa kosto shtesë.

Kjo do të thotë lidhje e pandërprerë me tarifa vendase jo vetëm për qytetarët dhe bizneset e Ballkanit Perëndimor që vizitojnë BE-në, por edhe për udhëtarët e BE-së në rajon.

Me mandatet e propozuara të negociatave të miratuara sot, Komisioni po kërkon autorizimin e Këshillit për të hapur negociatat me partnerët e Ballkanit Perëndimor.

Pasi BE27 të japë dritën jeshile, ekzekutivi i BE-së do të negociojë marrëveshje dypalëshe me secilin partner të Ballkanit Perëndimor.

Pasi të përfundohen me sukses, këto marrëveshje do të hapin rrugën që Ballkani Perëndimor të bashkohet me zonën “Roam like at home” të BE-së.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›